TAGS-AT E JAVËS

Sport28 Prill 2024, 20:52

Napoli dhe Roma ndajnë pikët, Atalanta fiton lehtësisht kundër Empolit dhe e sheh veten në Champions

Shkruar nga Pamfleti

Napoli dhe Roma ndajnë pikët, Atalanta fiton lehtësisht

Barazim me 4 gola dhe emocione deri në fund edhe pse pika nuk i duhet askujt. Roma nuk arriti të përfitojë nga hapi fals i Bolonjës dhe të afrohet më shumë me vendin e katërt, pasi nuk shkoi dot përtej barazimit 2-2 në transfertën ndaj Napolit.

Në “Diego Armando Maradona” u zhvillua një pjesë e parë e luftuar, por pa gola, të cilët erdhën me shumicë në 45 minutëshin e dytë. Ishte Paulo Dibala që i dha avantazhin Romës, pasi ekzekutoi saktë një penallti të fituar nga Azmun, por vetëm pesë minuta më vonë, Napoli riktheu baraspeshën me anë të Oliverës.

Në minutën e 84, Osimhen shënoi nga pika e bardhë për t’i dhënë avantazhin Napolit, por edhe këtë herë festa zgjati 5 minuta, pasi Tami Abraham ishte në vendin e duhur për të shtyrë në rrjetë me kokë një top të devijuar në zonë, duke i dhënë barazimin Romës.

E nëse verdhekuqtë ndalen, nuk bën të njëjtën gjë Atalanta, që ia doli të triumfojë 2-0 ndaj Empolit dhe të ngjitet në kuotën e 57 pikëve, vetëm dy më pak se Roma, që ka luajtur një ndeshje më shumë.

Pasaliç dhe Lukman shënuan për Atalantën në fitoren ndaj toskanëve, teksa zikaltrit e Gasperinit tashmë shpresojnë te vendi i pestë, që do të përkthehej në pjesëmarrje në edicionin e ardhshëm të Champions League.

napoli roma atalanta empoli seria a

Lini një Përgjigje