TAGS-AT E JAVËS

Sport18 Maj 2025, 21:13

Mposhten kampionët e Barçës, Reali dhe Atletiko bëjnë detyrën në javën e parafundit të La Liga

Shkruar nga Pamfleti

Mposhten kampionët e Barçës, Reali dhe Atletiko bëjnë

Janë luajtur sot ndeshjet e javës së 37 në La Liga, që është java e parafundit. Barcelona u mund në shtëpi 2-3 ndaj Vijarrealit. Miqtë kaluan të parët në avantazh me Ajoze Perez, ndërsa përmbysja e katalanasve erdhi në minutat e fundit të pjesës së parë.

Fillimisht Lamin Jamal barazoi shifrat me një gol spektakolar, tashmë i zakonshëm për të, ndërsa Fermin Lopez shënoi në fund të shtesës duke kaluar në avantazh katalanasit. Në pjesën e dytë, erdhi përmbysja e Vijarrealit, fillimisht barazoi shifrat Komesana në minutën e 50, ndërsa Buçanan shënoi golin e fitores në minutën e 80.

Në “Ramón Sançez Pizhuán”, Reali i Madridit fitoi në transfertë 0-2 ndaj Sevijas. Në minutën e 12, vendasit mbetën me 10 lojtarë, pasi Loik Balde u ndëshkua direkt me karton të kuq për ndërhyrje të gabuar ndaj Kilian Mbape dhe ishte lojtari i fundit.

Në fillim të pjesës së dytë, trajneri vendas bëri një zëvendësim në sulm, doli Dodi Lukebakio dhe hyri Isak Romero, i cili pa kaluar as 2 minuta në fushë doli direkt me karton të kuq. Sulmuesi bëri një ndërhyrje shumë të ashpër dhe të rrezikshme ndaj Aurelien Çuameni, ndërhyri VAR, arbitri pa pamjet në ekran dhe nxori sulmuesin e sapo futur në fushë direkt me karton të kuq.

Golat e madrilenëve do të vinin në 15 minutat e fundit, fillimisht me Mbape në minutën e 75 dhe më pas me Belingham në minutën e 87. Atletiko Madrid fitoi në shtëpi 4-1 ndaj Betis, me dy golat e Alvarez në minutat 10 dhe 75, Le Normo në fund të pjesës së parë dhe Correa në minutën e 94, për miqtë shënoi Fornals në 67′.

Kur mbetet edhe një javë nga fundi, pak verdikte kanë mbetur në lojë. 5 ekipet që do marrin pjesë në Champions janë: Barcelona, Reali i Madridit, Atletiko e Madridit, Atletik Bilbao dhe Vijarreal.

Betisi i vendit të gjashtë do marrë pjesë në grupet e Ligës së Europës po ashtu edhe vendi i shtatë, për të cilin janë ende në garë Selta Vigo, Rajo Vajekano dhe Osasuna. Ndërkohë që mbetet për t’u përcaktuar edhe ekipi i tretë që do të shkojë në Segunda Divizion. Espanjoli renditet në vendin e 17 me 39 pikë, ndërsa Leganese rendiet në vendin e 18 me 37 pikë. Në javën e fundit, Espanjoli pret në shtëpi Las Palmas, ndërsa Leganese pret Vajadolid. Si Las Palmas dhe Vajadolid do të luajnë në Segunda Divizion sezonin e ri.

real madrid barcelona atletiko madrid la liga

Lini një Përgjigje