Teksa afron ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, në vëmendje nuk janë vetëm garat dhe sportistët, por edhe vlera reale e një medaljeje olimpike. Pyetja që shtrohet shpesh është: sa fiton realisht një sportist kur ngjitet në podium?
Sipas një bilanci të publikuar nga e përditshmja italiane Il Mattino, fitorja e një medaljeje të artë mund të sjellë përfitime financiare që shkojnë deri në 1 milion euro, por kjo varet tërësisht nga vendi që përfaqëson sportisti. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar nuk ofron asnjë shpërblim financiar për medaljet, duke ia lënë këtë përgjegjësi shteteve pjesëmarrëse, të cilat aplikojnë politika shumë të ndryshme.
Në Milano–Cortina 2026 do të vihen në lojë 116 tituj olimpikë, numri më i lartë në historinë e Lojërave Dimërore. Shteti që ofron shpërblimin më të lartë për medaljen e artë është Singapori, me plot 1 milion euro, edhe pse shanset për një triumf janë minimale, pasi vendi përfaqësohet vetëm nga një sportist.
Mes vendeve më bujare renditet edhe Hong Kongu, i cili ofron 640 mijë euro për medaljen e artë, 320 mijë euro për argjendin dhe 160 mijë euro për bronzin. Në kontrast, disa nga vendet më të zhvilluara të Evropës Perëndimore, si Norvegjia, Suedia dhe Britania e Madhe, nuk parashikojnë asnjë shpërblim financiar për medaljet olimpike.
Në nivel evropian, Italia kryeson për nga vlera e shpërblimeve. Me 196 sportistë në garë, Komiteti Olimpik Italian ka vendosur të shpërblejë 180 mijë euro për medaljen e artë, 90 mijë euro për argjendin dhe 60 mijë euro për bronzin. Ndërkohë, Franca dhe Gjermania mbeten mes vendeve më të pasura në Evropën Perëndimore, por me shpërblime më të moderuara krahasuar me Italinë.
Kurioz është edhe rasti i Shteteve të Bashkuara. Përveç shpërblimit zyrtar prej 37 500 dollarësh për medaljen e artë, sportistët amerikanë do të përfitojnë edhe 200 mijë dollarë shtesë për çdo medalje ari, falë një donacioni privat të biznesmenit Ross Stevens.
Këto shifra tregojnë se, përtej lavdisë sportive, një medalje olimpike mund të përfaqësojë edhe një përfitim të konsiderueshëm financiar, megjithëse jo për të gjithë sportistët në mënyrë të barabartë.
Lini një Përgjigje