
Skuadra e Milanit është zhytur në trishtim pas ndarjes nga jeta të Pieranxhelo Beli, portierit historik kuqezi dhe një prej figurave të rëndësishme të epokës së artë të klubit nën drejtimin e trajnerit legjendar Nereo Roko.
I lindur në vitin 1944, Beli ishte pjesë e Milanit nga viti 1966 deri më 1973, një periudhë e artë për klubin lombard. Edhe pse shpesh konsiderohej zëvendës i emrave të mëdhenj si Fabio Kudiçini dhe Uilliam Veki, ai arriti të lërë gjurmë të rëndësishme në historinë e klubit. Në 68 ndeshje zyrtare të zhvilluara me fanelën kuqezi, Beli kontribuoi në një palmares mbresëlënës.
Me Milanin, ai fitoi një titull kampion në Serinë A, dy Kupa të Kampioneve, një Kupë Interkontinentale, dy Kupa të Kupave dhe tre Kupa Italie. Një moment i veçantë i karrierës së tij mbetet finalja e Kupës së Italisë në vitin 1967 ndaj Padovës, ku Beli ishte titullar dhe protagonist në suksesin e skuadrës.
Ndeshja e fundit e Pieranxhelo Belit me fanelën e Milanit u luajt më 21 prill 1973, në përballjen e famshme dhe të diskutuar ndaj Lacios, duke mbyllur kështu një cikël të lavdishëm që e pa Milanin të ngjitej në majat e futbollit botëror.
Humbja e tij përfaqëson një tjetër faqe zie për historinë e klubit kuqezi dhe për brezat që kujtojnë me respekt epokën e lavdishme të “Djallit”.
Lini një Përgjigje