
Lionel Mesi, përpara se të zgjidhte transferimin për në SHBA u fol për një kalim në kampionatin arab të futbollit për t’iu bashkuar Kristiano Ronaldos dhe yjeve të tjerë të futbollit botëror, por pavarësisht kontratave impresionuese të klubeve nga Arabia Saudite, argjentinasi vendosi të mos i marrë parasysh dhe zgjodhi të nënshkruajë me Inter Majemin.
Megjithatë në vendin e Lindjes së Mesme duket se ende janë të fiksuar me 38-vjeçarin aq sa pronari i Al Itihad, Anmar Al Haili bëri të ditur se është gati të bëjë çdo çmenduri për të marrë Mesin.
‘Nëse Lionel Mesi pranon të nënshkruajë me Al Itihad do t’i ofroja një kontratë me anë të së cilës do të përfitonte çfarëdolloj shifre që dëshiron, kohëzgjatjen që do e madje edhe një kontratë të përjetshme. Të kem Mesin këtu në Arabinë Saudite me fanelën e skuadrës sonë, në aspektin ekonomik nuk është asgjë për mua. E dua Mesin këtu sepse do të kisha në ekip futbollistin më të mirë në historinë e futbollit’, tha Al Haili.
Nuk është hera e parë që sheiku i Al Itihad hyn në kontakt me Lionel Mesin. Në momentin kur argjentinasi mbylli kontratën me PSG-në dhe ishte një futbollist i lirë, ai refuzoi një ofertë astronomike.
‘Po e kam kontaktuar më parë, kur mbylli kontratën me PSG. I ofrova 400 milionë euro në vit, por ai refuzoi sepse familja e tij preferonte SHBA. E respektoj dhe Al Itihad do t’i hapë gjithnjë dyert për të, mund të vijë kur të dojë‘, vijoi më tej pronari i Al Itihad.
Por nuk duket se Lionel Mesi ka ndërmend të studiojë opsionin Arabi Saudite. Kjo edhe për faktin se më 23 tetor të vitit të kaluar bëri të ditur rinovimin me Inter Majemin. Për më tepër, nëse do të ndryshonte ambient, do të kthehej te Barcelona, edhe pse kjo është një ide jorealiste, por më shumë një ëndërr e shumicës së tifozëve blaugrana.
Lini një Përgjigje