Grupi A i Kupës së Botës 2026 ka mbyllur ndeshjet e fazës së grupeve në orët e para të mëngjesit me orën shqiptare. Meksika, e kualifikuar më herët për në 1/16-at, triumfoi 3-0 ndaj Çekisë, duke vulosur eliminimin e përfaqësueses evropiane. Ndërkohë, Afrika e Jugut fitoi 1-0 përballë Koresë së Jugut dhe siguroi biletën për në fazën tjetër, duke shkruar historinë pasi për herë të parë arrin të kalojë fazën e grupeve në një Kampionat Botëror. Koreja e Jugut do të duhet të presë përfundimin e ndeshjeve të grupeve të tjera për të mësuar nëse do të renditet mes tetë vendeve të treta më të mira.
Në stadiumin "Azteca" të Mexico City, Meksika mposhti 3-0 Çekinë falë golave të Chavez Garcia, Quinones dhe Fidalgo, të realizuar të gjithë në pjesën e dytë. Me këtë sukses, vendasit e mbyllën Grupin A me nëntë pikë të plota, tre fitore në po aq ndeshje dhe pa pësuar asnjë gol, duke regjistruar një rekord historik, pasi është hera e parë që fitojnë të gjitha sfidat e fazës së grupeve në një Botëror.
Një nga momentet më emocionuese të ndeshjes ishte aktivizimi në minutën e 78-të i portierit veteran Guillermo Ochoa. Në moshën 40-vjeçare, ai regjistroi paraqitjen e tij në Botërorin e gjashtë, ndërsa për të katërtin edicion radhazi zbriti në fushën e lojës.
Në Monterrey, Afrika e Jugut siguroi një fitore historike 1-0 ndaj Koresë së Jugut. Golin vendimtar e shënoi Thapelo Maseko në minutën e 63-të, rezultat që i dha afrikanëve vendin e dytë dhe kualifikimin direkt për në fazën me eliminim.
Në renditjen përfundimtare të Grupit A, Meksika kryeson me 9 pikë, Afrika e Jugut renditet e dyta me 4 pikë, Koreja e Jugut ka 3 pikë, ndërsa Çekia mbyll grupin në vendin e fundit me vetëm 1 pikë.
Deri tani, kombëtaret që kanë siguruar kualifikimin në raundin e 1/16-ave janë: Meksika, SHBA-ja, Gjermania, Argjentina, Franca, Norvegjia, Kolumbia, Zvicra, Kanadaja, Bosnje-Hercegovina, Brazili, Maroku dhe Afrika e Jugut.
Renditja në Grupin A:
Lini një Përgjigje