
Në mbrëmjen gala të organizuar sonte nga FSHF në Teatrin e Operas dhe Baletit, dy nga çmimet më të veçanta ishin ato për “Talentin e Vitit” për djem e vajza. Mes vajzave të nominurara për këtë trofe ishin: Angela Nikaj, Klesta Ago, Herta Hasa dhe Xhesika Ndoj.
Xhesika Ndoj, futbollistja e talentuar e Apolonisë u shpall fituese e këtij trofeu të veçantë për vajza, “Talentja e vitit” 2024. E karakterizuar nga shpirti i garës dhe dashuria e madhe për futbollin, lojtarja e Apolonisë është vlerësuar për të fituar këtë çmim të rëndësishëm dhe motivues për të ardhmen.
Trajnerja e ekipit Kombëtar U-19 për vajza, Luçije Gjini u ngjit në skenë për t’i dorëzuar Xhesikës trofeun.

Çmimin për “Talentin e Vitit” për djem e fitoi Ermir Rashica, futbollisti i talentuar i Skënderbeut, është shpallur “Talent i Vitit” 2024, ndërsa në garë për këtë çmim ishin edhe Ermal Meta i Tiranës, Ledjo Tresa i Laçit dhe Ergis Arifi i Teutës.
Sulmuesi i Skënderbeut zhvilloi një sezon të shkëlqyer, duke shënuar gola të rëndësishëm dhe duke udhëhequr skuadrën drejt objektivit “Final Four”.
Çmimin Ermir Rashicës ia dorëzuan djemtë e dy legjendave të futbollit shqiptar, Sefedin Braho dhe Sabah Bizi, të cilët janë ndarë nga jeta. Mes emocioneve, Florian Braho dhe Brikeno Bizi uruan Rashicën për këtë çmim të veçantë.
Pas marrjes së çmimit, Ermir Rashica falënderoi të gjithë të pranishmit dhe i shprehu mirënjohjen për vlerësimin.
Lini një Përgjigje