
Arlind Ajeti po kalon një edicion pozitiv me Bodrumsporin në kampionatin turk. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ishte protagonist në ndeshjen e sotme ndaj Hatajsporit, duke realizuar golin e parë të takimit në minutën e 53-të.
Ajeti shfrytëzoi një krosim nga goditja e këndit dhe me një goditje të saktë me kokë dërgoi topin në rrjetë, duke zhbllokuar sfidën për skuadrën e tij. Për 32-vjeçarin ky ishte goli i katërt në kampionat për këtë sezon, një tregues i kontributit të tij edhe në fazën sulmuese.
Përballë Hatajsporit, një skuadër që konsiderohet e rënë nga kategoria, Bodrumspori hynte në fushë me objektivin e qartë për të marrë pikët e plota. Ekipi vendas u përpoq të imponojë ritmin e lojës, ndërsa goli i Ajetit i dha qetësi dhe avantazh në pjesën e dytë.
Në këtë takim, Taulant Seferi nuk u aktivizua në formacionin titullar, duke qëndruar në stol gjatë pjesës së parë. Ai u hodh në fushë në fraksionin e dytë të lojës, duke shtuar alternativat në repartin ofensiv për skuadrën e tij.
Forma e mirë e Ajetit vjen në një moment të rëndësishëm të sezonit, teksa Bodrumspori synon të përmbushë objektivat në kampionat.
Lini një Përgjigje