TAGS-AT E JAVËS

Sport28 Shkurt 2026, 15:12

Andi Lila beson te kualifikimi i kuqezinjve në Botëror: Kombëtarja në rrugë të mbarë, nuk është e pamundur

Shkruar nga Pamfleti

Andi Lila beson te kualifikimi i kuqezinjve në Botëror:

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Andi Lila, një nga protagonistët e skuadrës që siguroi për herë të parë kualifikimin në një fazë finale të një kompeticioni madhor, ka ndarë kujtimet e tij për aventurën në "EURO 2016" dhe ka komentuar ecurinë aktuale të ekipit kuqezi.

Lila ishte pjesë e përfaqësueses që, nën drejtimin e trajnerit Gianni De Biasi, arriti të shkruante historinë me pjesëmarrjen në Kampionatin Europian “Francë 2016”. Shqipëria e mbylli atë turne me një fitore ndaj Rumanisë, falë golit të Armando Sadikut.

Në intervistën për Federatën Shqiptare të Futbollit, Lila theksoi se Kombëtarja ka shënuar progres të dukshëm në aspektin organizativ krahasuar me periudhën kur ai ishte pjesë e saj.

Nga koha kur isha unë futbollist, Kombëtarja është rritur për sa i përket anës organizative. Shoh që trajneri jeton në Shqipëri, shkon të takojë futbollistët. Shoh që Federata është e përkushtuar te ekipi kombëtar. E gjithë vëmendja mediatike, tifozeria dhe shqiptarët e kanë mendjen akoma më shumë te ekipi kombëtar”, u shpreh Lila.

Ai shtoi se përfaqësuesja ndodhet në një rrugë të mbarë dhe se pret me padurim sfidën e radhës në Poloni. “Gjenerata ime shkoi për herë të parë në Europian, por uroj të jemi gjallë e ta shikojmë ekipin kombëtar në Kampionatin Botëror. Është padiskutim shumë e vështirë, por asnjëherë e pamundur”, deklaroi ish-mbrojtësi.

“Një plejadë futbollistësh të jashtëzakonshëm”

Duke kujtuar periudhën e tij me fanellën kuqezi, Lila u shpreh se ndihet me fat që ka luajtur përkrah emrave si Lorik Cana, Etrit Berisha, Elseid Hysaj, Ansi Agolli, Migjen Basha, Amir Abrashi, Burim Kukeli, Bekim Balaj, Armando Sadiku, Sokol Cikalleshi, Odise Roshi dhe Ermir Lenjani.

Një plejadë futbollistësh që unë e konsideroj veten me fat që kam luajtur me ta dhe kam mësuar shumë prej tyre”, tha ai, duke shtuar se shpreson që brezi aktual të jetë edhe më produktiv dhe të arrijë suksese më të mëdha se gjenerata e tij.

Besim përballë Polonisë

Në muajin mars, Kombëtarja shqiptare do të përballet me Poloninë në “playoff”-in e Botërorit. Lila e cilësoi ndeshjen e parë si vendimtare, sidomos në aspektin psikologjik.

Ndeshja e parë është shumë e rëndësishme për moralin që marrin futbollistët. Besoj që do ta kalojnë, edhe me pak fat. Polonia është një skuadër shumë serioze, shumë e fortë. Nuk është ajo Poloni që mundëm para dy vitesh, por ne kemi shanset tona, sepse këtë e treguam në Serbi dhe në shumë fusha të tjera”, u shpreh ai.

Në përfundim, ish-futbollisti pati një mesazh për lojtarët kuqezi: “Çuna, nderoni fanellën, nderoni kombin, nderoni Shqipërinë, familjen tuaj dhe, në fund fare, veten tuaj. Shkruani emrat tuaj me gërma të arta në historinë e futbollit shqiptar”.

Deklaratat e Lilës vijnë në prag të një tjetër sfide të rëndësishme për Kombëtaren, e cila synon të vazhdojë rrugëtimin drejt një kualifikimi historik në Kupën e Botës.

andi lila ish-futbollisti i kombëtares

Lini një Përgjigje