
Reali i Madridit nuk është dorëzuar për Kilian Mbape, teksa po përgatitet të vendosë në “jetë” një plan për ta transferuar në kryeqytetin spanjoll.
Sipas “The Mirror”, drejtuesit e klubit do të tentojnë të bindin PSG-së me një ofertë prej 120 milionë eurosh. Një shifër që as nuk i afrohet pretendimeve të francezëve, që nga ana e tyre e kanë bërë të qartë se për shërbimet e sulmuesit nuk pranojnë më pak se 250 milionë euro.
Megjithatë, Reali do të bëjë presion me faktin se nëse parizienët refuzojnë edhe ofertën e minutave të fundit të merkatos aktuale, atëherë do ta transferojnë sulmuesin në sezonin e ardhshëm me parametër zero.
Edhe kjo taktikë e Realit mund të mos funksionojë, pasi në orët e fundit të merkatos klubet angleze mund të mësyjnë me një ofertë 150 milionë euro dhe kupola franceze të pranojë.
Por edhe këtu ka diçka tjetër, pasi duhet edhe vullneti i Mbapesë për t’u transferuar. Kështu historia e yllit francez po kthehet në një lojë shahu, ku është shumë e vështirë të përcaktohet fituesi.
Te Reali besojnë se duke mos pasur shumë alternativa, PSG do të dorëzohet dhe do ta lejojë futbollistin të nisë aventurën tek “Los Blancos”
Spanjollët janë të bindur se 24-vjeçari nuk do të rinovojë kontratën me PSG-në dhe në këtë formë mund të evitojnë shpenzimet madhore.
Lini një Përgjigje