TAGS-AT E JAVËS

Sport 1 Tetor 2025, 23:01

Luis Enrike mposht ish-ekipin e tij, PSG triumfon në limite me Barçën, Arsenali dhe Napoli bëjnë detyrën, Siti dhe Juvja bien në ‘frymën e fundit’

Shkruar nga Pamfleti

Luis Enrike mposht ish-ekipin e tij, PSG triumfon në limite me

Përfundojnë ndeshjet e mbrëmjes në Champions League. Në stadiumin olimpik të Katalonjës, Barcelona është mposhtur nga PSG me rezultatin 1-2. Luis Enrike del triumfues kundër ish-ekipit të tij. Katalanasit gjetën golin në minutën e 19, pas një topi të humbur nga Vitinja dhe të fituar nga Lamin Jamal, i cili kombinoi me Pedrin, ky me Rashford dhe në fund Ferran Torres shënoi. Goli i barazimit për francezët erdhi në minutën e 38, ku Seni Majulu realizoi pas një asisti brilant të Nunjo Mendes.

Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej në paqe, parizienët gjetën golin e suksesit me Gonçalo Ramos në minutën e 90.

Në “Emirates”, Arsenali mposhti me rezultatin e pastëe 2-0 Olimpiakosin. Londinezët shënuan në minutën e 12 me Gabriel Martinelin, i cili ishte në vendin dhe momentin e duhur për të dërguar topin në rrjetë, pasi goditja e Giokeres u ndal fillimisht nga portieri mik.

Në minutën e 90+2, Bukajo Saka vulosi fitoren e “topçinjve” të Artetës.

Juventusi merr barazimin e dytë radhazi. Pas Dortmundit, bardhezinjtë ngecin sërish, kësaj here përballë Vijarrealit. Ndeshja e luajtur në transfertë përfundoi në barazim 2-2. “Nëndetësja e verdhë” gjeti golin në minutën e 18 me Mikautadze, pas një aksioni të shpejtë dhe asistit të Nikolas Pepe.

Bardhezinjtë e nisën vrullshëm pjesën e dytë. Pas një rivënieje të gjatë anësore, Lloid Kelli pasoi me kokë dhe Federiko Gati shkundi rrjetën me një super rroveshatë në minutën e 48. Në minutën e 55, Françisko Konseisao i futur në fushë në fillimin e pjesës së dytë, përfitoi nga një top i humbur nga vendasit dhe tregoi gjithë klasin e tij duke shënuar një gol shumë të bukur.

Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej me fitoren e Juventusit, Vijarreali barazoi shifrat me Ronaldo Veiga në minutën e 90.

Mançester Siti ngec në Principatë përballë Monakos. Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2. “Qytetarët” kaluan të parët në avantazh me Haland në minutën e 14, pas asistit të Gvardiol. Francezët barazuan shifrat me Xhordan Teze në minutën e 18. Në fund të pjesës së parë, Haland shënoi sërish për Sitin.

Kur mendohej se Siti do të fuste 3 pikët në kasafortë, Monako barazoi shifrat në minutën e 90 me Erik Dajer nga pika e bardhë e penalltisë.

Napoli ia doli të marrë 3 pikët ndaj Sportingut të Lisbonës në “Diego Armando Maradona”,  teksa mposhti 2-1 Sportingun e Lisbonës. Dopieta e realizuar nga Hojlund në minutat 36 dhe 79 i dha fitoren napolitanëve. Portugezët ngushtuan diferencën në minutën e 62 me Luis Suarez nga pika e bardhë e penalltisë, por goli i tij vlejti vetëm për statistikë. Në ndeshjet e tjra, Dortmundi fitoi 4-1 ndaj Atletik Bilbaos. Takimi mes Bajer Leverkusenit dhe Sportingut të Lisbonës u mbyll në barazim 1-1.

psg juventus barcelona mançester siti champions league

Lini një Përgjigje