
Njukasëlli ka marrë fitoren e parë për këtë sezon në Champions League, pasi fitoi në transfertë 0-4 ndaj Union Sen Xhilois. “Qymyrxhinjtë” gjetën fillimisht avantazhin në minutën e 18 me Sandro Tonalin, italiani shënoi me një goditje të lehtë në kufijtë e zonës së rreptësisë, i ndihmuar edhe nga një devijim, topi përfundoi në rrjetë. Entoni Gordon dyfishoi shifrat nga pika e bardhë e penalltisë në fund të pjesës së parë, pas një faulli brenda në zonë ndaj Elanga. Pjesa e parë u mbyll 0-2 për Njukasëllin.
Në minutën e 63, Entoni Gordon shënoi golin e tretë, sërish nga pika e bardhë e penalltisë, këtë herë pas prekjes së topit me dorë nga një lojtar vendas gjatë dyluftimit me Nik Uoltmejf. Harvi Barns i futur në fushë në pjesën e dytë shënoi golin e katërt në minutën e 80, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistit të Osula.
Në Baku, Karabagu nuk e diskutoi aspak fitoren ndaj Kopenhagenit, duke i mposhtur danezët me shifrat 2-0 dhe duke i dominuar në lojë nga fillimi në fund. Goli i parë i takimit u shënua nga Abdelah Zubir në minutën e 28, me një goditje të bukur në kufijtë e zonës së rreptësisë.
Emanuel Adai dyfishoi shifrat në minutën e 83 me një supergol nga distanca, duke vulosur përfundimisht fitoren 2-0 të Karabagut, që numëron 6 pikë pas dy ndeshjeve të para.
Lini një Përgjigje