
Përveç Superiores, ka nisur këtë fundjavë edhe Kategoria e Parë. Këtë sezon pritet një garë shumë e fortë, pasi ka disa ekipe që pretendojnë të ngjiten në Superiore dhe beteja mes tyre do jetë e rivalizuar deri në javën e fundit.
Laçi, i cili zbriti në Kategorinë e Parë në fund të sezonit të kaluar, e nis me fitore, pasi në stadiumin “Redi Maloku” fitoi 1-2 ndaj Ilirisë. Olsi Myrta shënoi i pari për kurbinasit në minutën e 14, vendasit barazuan shpejt, pas 3 minutash me Mavanga. Goli i fitores për kurbinasit u shënua nga Sergio Kalaj në minutën e 77.
Një ndeshje e tillë prodhoi shumë tension, sidomos në pjesën e dytë. Agan Mjaki u përfshi në një episod me tifozët, pikërisht në 45 minutat e dyta. Futbollisti i Laçit u rrëzua pasi reklamoi se mori një goditje.
Forcat e Policisë u shtuan në sektorin ku ndodheshin tifozët e Ilirisë.
Në sfidat e tjera, Kukësi fitoi në shtëpi 2-1 ndaj Apolonisë. Tre golat u shënuan në pjesën e dytë. Verilindorët shënuan me Oniks Grezda në minutën e 48 dhe Redon Dragashi në minutën e 65. Fierakët ngushtuan shifrat në fund me golin e Umeijego.
Në Gjirokastër, Luftëtari dhe Korabi u mjaftuan me barazimin 1-1. Vendasit shënuan të parët me Nyanguila, miqtë barazuan me Xhikën në minutën e 56. Në barazim 1-1 përfundoi edhe sfida tjetër, e luajtur në Kavajë mes Besës dhe Kastriotit. Krutanët kaluan të parët në avantazh më Idris, ndërsa barazimi i vendasve erdhi në minutën e fundit shtesë, 90+10.
Lini një Përgjigje