
Shqipëria po lë pas një vit shumë të suksesshëm duke parë rezultatet që janë arritur gjatë vitit 2025. Kualifikimi në “play off-in” e Botërorit, natyrisht ishte arritja më e madhe e Shqipërisë duke qenë se kurrë më parë në histori, nuk e kishte arritur diçka të tillë.
Nëse hedhim sytë mbrapa dhe kujtojmë rrugëtimin, historike ishte natyrisht edhe fitorja që Shqipëria arriti të merrte në Leskovc, kundër Serbisë duke hedhur një hap të madh drejt kualifikimit. Fati ka qenë me Shqipërinë disa herë këtë vit, teksa për fat të mirë edhe mungesat kanë qenë me pikatore dhe kuqezinjtë nuk janë ndëshkuar shumë nga dëmtimet. Ismajli ishte mbrojtësi që pësoi më shumë dëmtime dhe mungoi në dy kualifikime të njëpasnjëshme teksa mungoi edhe Kumbulla.
Nga ana tjetër, Broja u rikthye në këto kualifikuese dhe e ndihmoi Kombëtaren në disa ndeshje duke luajtur titullar, e formë të jashtëzakonshme kaluan edhe shumë lojtarë, e madje debutimet ishin të shumta e një ndër to ishte Julian Shehu, mesfushori që shumë shpejt u kthye në protagonist absolut duke fituar vendin e titullarit. Por, në muajin dhjetor, legjionarët kanë pësuar dëmtime të shumta dhe po mungojnë me skuadrat e tyre, teksa në Kombëtare shpresojnë që këto dëmtime të lihen pas dhe deri në mars, skuadra të jetë në formën më të mirë të mundshme.
Dëmtimet– Berat Gjimshiti u zëvendësua te Atalanta pak ditë më parë vetëm pak minuta pasi nisi sfida. Dëmtimi i tij nuk u duk shumë i rëndë megjithatë në Itali e bëjnë të qartë se viti i Gjimshitit ka përfunduar. Mbrojtësi po zhvillon vetëm seanca terapie dhe pritet të rikthehet në fushë në mesin e muajit janar, me shpresën se ky dëmtim nuk do të zgjasë më shumë. Ndërkohë, jashtë fushave për disa javë do të jetë edhe mesfushori Medon Berisha. Talenti që aktivizohet me Leçen, po kalonte një moment shumë të mirë në Serinë A italiane, duke u shpallur disa herë edhe lojtari i ndeshjes, do të rikthehet në muajin janar në fushë. Mesfushori ka nisur seancat e fizioterapisë që të rikthehet sa më shpejt në fushë, por pritja mund të zgjasë deri në mesin e janarit, ashtu si edhe Gjimshiti. Dëmtim pësoi edhe Ardian Ismajli dhe një shqetësim në kofshë, bëri që të mungonte disa ndeshje por për fatin e tij të mirë, u rikthye titullar me Torinon dhe bëri një paraqitje shumë të mirë duke marrë edhe vlerësime maksimale, pavarësisht se jo në rolin e tij natyral.
Transferimi te Rejnxhërs, nuk ka rezultuar pozitiv për Nedim Bajramin i cili në kohët e fundit, u duk se nuk ishte më pjesë e planeve të stafit teknik. Por, në muajin e fundit Bajrami nisi të aktivizohej sërish dhe mori disa herë minuta me Rejnxhërsin, madje edhe shënoi gol. Kur u duk se po fitonte besimin e stafit, Bajrami u dëmtua dhe në ndeshjen e parë që luajti titullar, u dëmtua dhe u detyrua të largohej nga fusha e blertë vetëm pak minuta pasi hyri në fushë.
Veç dëmtimeve, kishte edhe disa lojtarë që kaluan moment të vështirë dhe një prej tyre vazhdon të jetë Hysaj. Mbrojtësi shkodran u hoq nga lista e Serisë A për skuadrën e tij e pak më vonë edhe nga lista e Kupës së Italisë, duke dhënë një sinjal se aventura e tij me Lacion, mund të konsiderohet e përfunduar dhe pritet vetëm dita kur mbrojtësi t’i japë lamtumirën kryeqytetasve. Probleme ka edhe për sulmuesin Myrto Uzuni, i cili është i detyruar të qëndrojë jashtë fushave për një kohë të gjatë. Sulmuesi i Austin në Amerikë, e ka përfunduar sezonin e rregullt dhe deri në mars, do të detyrohet që të punojë shumë për të pasur gjendje të mirë fizike duke qenë se minutat do të jenë të pakta, kryesisht në ndeshje miqësore.
Lojtarët në formë- Nëse shumë lojtarë kanë vuajtur dëmtimet, disa të tjerë e kanë pasur muajin e tyre të fatit. Më kryesori, natyrisht që është Ernest Muçi që në 5 ndeshjet e fundit me Trabzonsporin, ka shënuar plot 7 gola duke qenë lojtari më aktiv në skuadër. Në muajin dhjetor, te goli u rikthye edhe Armando Broja që kishte vite që nuk shënonte me skuadrën e tij. Sulmuesi i Bërnleit shënoi fundjavën e shkuar dhe duket se pak nga pak, po fiton besimin e trajnerit Skot Parker dhe tifozëve, që në fakt presin shumë nga sulmuesi që u transferua në merkaton e verës nga Çelsi. Formë të mirë, po kalon portieri Strakosha që edhe me kuqezinjtë ka qenë vendimtar dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për lojtarët si Mitaj, Asani, vëllezërit Shpendi, Mehmeti apo edhe Ajeti, Seferi, Asllani, Hoxha e shumë të tjerë që aktivizohen në Europë./Panorama Sport
Lini një Përgjigje