
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, mori pjesë në panelin “Diaspora shqiptare dhe fuqia e sportit”, të zhvilluar në kuadër të Samitit të Diasporës Shqiptare në Tiranë, më 13-15 prill 2026. Në diskutim u përfshinë gjithashtu ish-kapitenët e Kombëtares, Altin Lala dhe Lorik Cana, si dhe zv.ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Endrit Hoxha.
Roli i Kombëtares në lidhjen me diasporën
Gjatë fjalës së tij, Duka vuri në dukje ndikimin e rezultateve të ekipit Kombëtar në rritjen e interesit për futbollin dhe në forcimin e lidhjeve me shqiptarët jashtë vendit. Ai përmendi si momente kyçe kualifikimet në Europianin 2016 dhe atë të vitit 2024.
“Rezultatet e ekipit Kombëtar shqiptar, sidomos me kualifikimin në “EURO 2016” dhe “EURO 2024”, qoftë edhe kualifikimin në “play-off” tani, i ka shërbyer në përgjithësi çështjes kombëtare shqiptare. Ne mbase kemi pasur nevojë që ta tregojmë veten se kush jemi dhe Kombëtarja na e ka dhënë këtë mundësi.”
Futbolli përtej rezultateve sportive
Kreu i FSHF theksoi se zhvillimi i futbollit nuk lidhet vetëm me arritjet në fushë, por edhe me ndikimin në shoqëri, veçanërisht te të rinjtë.
“Në vizionin tim, qëllimi i futbollit nuk është thjesht për të bërë rezultat, por për të pasur sa më shumë njerëz që edukohen nëpërmjet sportit. Por që të kesh sa më shumë njerëz duhet të kesh rezultat, prandaj është një lloj rrethi.”
Ai shtoi se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në vite, duke kaluar një periudhë tranzicioni drejt një zhvillimi më të qendrueshëm, ku sporti mund të luajë rol në rritjen e cilësisë së jetës.
“Si mund të përmirësohet kualiteti i jetës? Një nga mënyrat është sporti, është futbolli.”
Marrëdhëniet me diasporën dhe investimet në futboll
Duka nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve me shqiptarët jashtë vendit, sidomos përmes përfshirjes së lojtarëve të lindur në diasporë në ekipet kombëtare.
“Kemi bërë goxha për të pasur një marrëdhënie shumë të mirë me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë. Sot kemi ekipe Kombëtare ku luajnë të rinj që mbase janë lindur jashtë Shqipërisë.”
Sipas tij, investimet në infrastrukturë, marrëdhënie dhe rezultate janë thelbësore për zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në vend.
Një vlerësim i veçantë iu kushtua tifozëve shqiptarë, të cilët Duka i cilësoi si një mbështetje të jashtëzakonshme për Kombëtaren.
“Në futboll quhet lojtari i 12-të, kurse në Shqipëri mund të thuash më shumë se sa lojtari i 12-të, sepse aq shumë e mbështesin futbollin.”
Ai theksoi se interesi i lartë për ndeshjet e Kombëtares reflektohet edhe në kërkesën për bileta.
“Sot nuk është problem të kemi njerëz në stadium, por është problem se si t’i sigurojmë një biletë njerëzve.”
Nevoja për institucionalizim të rolit të ambasadorëve
Në përmbyllje, Duka foli për nevojën e organizimit dhe institucionalizimit të rolit të futbollistëve shqiptarë si ambasadorë të vendit.
“Ne kemi shumë ambasadorë në futbollin e luajtur, por ajo që duhet të bëjmë është ta institucionalizojmë këtë marrëdhënie dhe ta shfrytëzojmë sa më mirë.”
Ai shtoi se përmes një qasjeje të organizuar, futbolli mund të kontribuojë më tej në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje