
Argjentina u shpall kampione e Botës për vitin 2022, dhe si pasojë Lionel Mesi u zgjodh lojtari më i mirë, Skaloni trajneri më i mirë dhe Dibu Martinez portieri më i mirë. Në një intervistë të fundit mesfushori Rodrigo De Pol deklaroi se kjo Argjentinë është më e mira e të gjitha kohërave.
“Nuk e them për ego, apo për faktin se është Mesi. Ka patur edhe lojtarë më të mirë se ne, por më duhet të them se kjo është Argjentina më e mirë e historisë. Ky grup është një skuadër e vërtetë. Në të kaluarën shpesh nuk ka qenë kështu. Skaloni na bëri të kuptojmë se jemi vetëm pjesëza të një mozaiku më të madh, që është vetë Argjentina“.
Kampioni i Botës me Argjentinën në vitin 1978 dhe ish-trajneri i Lushnjës në Shqipëri në vitin 1996, Mario Kempes, reagoi ashpër duke thënë:
“Kjo është Argjentina më e mirë e të gjitha kohërave? Në këtë moment është, por nuk duhet harruar që në një tjetër epokë skuadra e vitit 1978 ishte më e mira. Dhe u bë kampione. Edhe ajo e vitit 1986 ishte më e mira dhe fitoi botërorin në Meksikë. E ftoj Rodrigon të qendrojë me këmbë në tokë dhe të respektojë të gjithë ata që kanë veshur fanelën e Argjentinës“, përfundoi Mario Kempes.
Lini një Përgjigje