Juventusi nuk ka pranuar largimin e Edon Zhegrovës gjatë këtij afati kalimtar, pavarësisht interesimit konkret nga Evertoni. Sipas asaj që raporton The Athletic, mes dy klubeve ka pasur një dialog joformal për anësorin shqiptar, por bisedimet nuk kanë avancuar pasi bardhezinjtë nuk ishin të gatshëm ta linin të lirë lojtarin.
Zhegrova, i cili iu bashkua Juventusit nga Lille gjatë verës së kaluar, nuk ka gjetur ende hapësirat e dëshiruara në formacion, duke regjistruar vetëm një ndeshje si titullar këtë sezon. Megjithatë, drejtuesit e Juves nuk e kanë konsideruar largimin e tij, pavarësisht minutazhit të kufizuar.
Nga ana tjetër, edhe Juventusi ka hasur në refuzim nga Evertoni. Klubi italian kishte kërkuar huazimin e sulmuesit Beto (Norberto Bercique Gomes Betuncal), por Evertoni nuk ishte i hapur për ta humbur 28-vjeçarin. Beto vjen nga një moment pozitiv, pasi shënoi golin e barazimit në kohën shtesë për skuadrën e David Moyes në barazimin ndaj Brighton & Hove Albion, duke regjistruar golin e katërt sezonal.
Aktualisht, Beto është një nga alternativat e pakta në repartin ofensivë të Evertonit, së bashku me Thierno Barryn, çka ka ndikuar në vendimin e klubit anglez për të mos e lënë të largohet.
Lini një Përgjigje