
Pasi duket se kanë siguruar transferimin e mesfushorit britanik Xhud Belingham nga Borusia e Dortmundit, Reali i Madridit synon që këtë verë të bëjë goditjen e madhe në merkato. Bëhet fjalë për sulmuesin Kilian Mbape, që luan me PSG-në.
Sipas “The Telegraph”, skuadra madrilene është duke punuar në fshehtësi për të siguruar shërbimet e sulmuesit 24-vjeçar, për të cilin është gati të thyejë çdo rekord transferimi. Mediat sqarojnë se “Galaktikët e Europës janë gati të paguajnë 224 milionë euro për sulmuesin francez, dy më shumë se rekordi i 222 milionëve që PSG pagoi për Nejmarin.
Kontrata e Mbapesë me kampionët e Francës skadon në verën e vitit 2025, por kjo nuk e pengon, si sulmuesin, ashtu edhe Realin, të synojnë këtë transferim. Sulmuesi disa herë ka shprehur dëshirën të luajë në një ekip ku mund të fitojë në Europë, gjë që nuk e ka arritur me parizienët.
Ka kohë që Reali kërkon të marrë Mbapenë, duke parë edhe faktin se “Los Blancos” kërkojnë një sulmues të ri. Për ta bindur, madrilenët janë gati t’i ofrojnë një rrogë marramendëse, por fakti që “merengesat” janë një ekip fitues në Europë dhe botë është më tundues se çdo gjë tjetër për Mbapenë, që kërkon trofe.
Lini një Përgjigje