Përfundon gjysmëfinalja e dytë e Champions League. Interi ka bërë të paimagjinueshmen ndaj Milanit, duke shënuar dy gola në 11 minutat e para të lojës, sfidë e cila u mbyll me rezultatin e pastër 0-2 për zikaltërit, duke bërë që 3 herë kampionët e Europës të jenë me një këmbë në finale.
Skuadra e Simone Inzagit gjeti golin e avantazhit në minutën e 8. Xheko gjeti rrugën e rrjetës. Pas një harkimi nga këndi i Çalhanoglu, boshnjaku fitoi duelin me Kalabrian dhe goditi saktë!
Një gol që e ka bërë boshnjakun,lojtarin e dytë më të vjetër në histori që shënon në një ndeshje gjysmëfinale apo finale të turneut.
Ai realizoi në moshën 37-vjeç e 54 ditë, duke mbetur vetëm pas Rajan Gigs, i cili në vitin 2011, gjeti rrugën e rrjetës ndaj Shalkes kur vishte fanelën e Mançester Junajtid. Asokohe, uellsiani ishte 37-vjeç e 148 ditë.
3 minuta më vonë, Interi gjeti edhe golin e dytë dhe të qetësisë. Aksion model i finalizuar me sukses nga Mkhitarjan.
Në minutën e 53, Interi pati shansin ideal me Xhekon, që i vetëm në afërsi të pikës së penalltisë, u ndal nga Menja, me francezin që bëri heroin, duke larguar rrezikun në këndore.
Kuqezinjtë e Piolit patën mundësinë më të mirë për të shkurtuar diferencën në minutën e 63, por shtylla i mohoi golin Tonalit.
Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të luhet të martën e ardhshme më 16 maj, ku Milani duhet të bëjë përmbysjen e madhe për të arritur një mrekulli që e kërkon prej 16-vitesh.
Lini një Përgjigje