
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Jasir Asani, ka vendosur të stërvitet përkohësisht me Partizanin. Ky vendim vjen në një kohë kur kampionati i futbollit në Iran është pezulluar për shkak të situatës së luftës në vend.
30-vjeçari, i cili aktualisht është pjesë e klubit iranian Esteghlal, nuk ka qenë aktiv në ndeshje që prej 27 shkurtit, datë kur u shfaq për herë të fundit në fushë me skuadrën e tij. Që nga ajo kohë, ndeshjet në Iran janë shtyrë dhe aktiviteti futbollistik është ndërprerë.
Asani ka një lidhje të fortë me Partizanin, pasi është klubi i vetëm ku ka luajtur në Shqipëri. Gjatë dy periudhave të ndryshme me të kuqtë, ai ka regjistruar 123 ndeshje dhe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në repartin ofensiv.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse sulmuesi do të jetë pjesë e listës së trajnerit të Kombëtares shqiptare, Silvinjo, për grumbullimet e ardhshme. Gjatë vitit të kaluar, Asani mori minuta vetëm në një ndeshje zyrtare me ekipin kombëtar, pikërisht në transfertën ndaj Anglisë.
Lini një Përgjigje