
Bodo/Glimt vazhdon të konfirmohet si surpriza më e bukur e këtij sezoni në Ligën e Kampionëve. Pas sukseseve ndaj Mançester Sitit dhe Atletikos së Madridit në fazën e mëparshme, skuadra norvegjeze ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm, duke mposhtur 3-1 Interin në takimin e parë të fazës “play-off”.
Norvegjezët dominojnë Interin në pjesën e dytë
Takimi u zhbllokua në minutën e 20-të, pas një aksioni model të vendasve. Kasper Høg dhuroi një asist spektakolar me finte, ndërsa Sondre Fet dërgoi topin në rrjetë për avantazhin e Bodo/Glimt.
Interi reagoi në minutën e 30-të. Françesko Pio Esposito shfrytëzoi një krosim në zonë nga Nikolo Barella, me mbrojtjen vendase që nuk arriti ta largojë si duhet topin. Pas rishikimit me VAR, goli i zikaltërve u konfirmua i rregullt dhe pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.
Në fraksionin e dytë, skuadra norvegjeze mori kontrollin e lojës. Në minutën e 60-të, pas një aksioni të shpejtë dhe kombinimit mes Kasper Høg dhe Jens Petter Hauge, ky i fundit riktheu avantazhin për vendasit. Vetëm tre minuta më vonë, Høg kurorëzoi paraqitjen e tij me golin e tretë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-1 në favor të Bodo/Glimt.
Spektakël me gjashtë gola në Belgjikë
Barazim 3-3 u regjistrua në Belgjikë mes Klub Bryzhit dhe Atletikos së Madridit, në një sfidë me përmbysje dhe emocione deri në fund.
“Atletiko” kaloi në avantazh që në minutën e 8-të, me Julian Alvarez që u tregua i saktë nga pika e bardhë, pas një prekjeje të topit me dorë nga një lojtar kundërshtar brenda zonës. Në kohën shtesë të pjesës së parë, Ademola Lukman dyfishoi shifrat pas një krosimi nga këndi të Juan Alvarez.
Në pjesën e dytë, belgët reaguan. Rafael Oniedika ngushtoi diferencën në minutën e 52-të pas një goditjeje nga këndi dhe një rrëmuje në zonë. Tetë minuta më pas, Nikolo Tresoldi barazoi rezultatin në 2-2 pas asistit të Diakon.
Në minutën e 79-të, një autogol i Xhoel Ordonjez, pas një krosimi të Markos Llorente, i dha sërish avantazhin skuadrës spanjolle. Megjithatë, në fundin e kohës së rregullt, Kristos Colis realizoi golin e barazimit për Klub Bryzhin, duke fiksuar rezultatin përfundimtar 3-3.
Leverkuseni fiton në Pire
Në një tjetër përballje, Bajer Leverkuseni arriti një fitore të rëndësishme 0-2 në transfertë ndaj Olimpiakosit në Pire. Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa protagonist i takimit u bë Patrik Shick, i cili shënoi dy herë brenda tre minutave, në minutat 60 dhe 63, duke siguruar suksesin për skuadrën gjermane.
Lini një Përgjigje