TAGS-AT E JAVËS

Sport28 Prill 2024, 15:32

Interi fiton ndeshjen historike ndaj Torinos, zikaltërit triumfojnë në ditën e festës së titullit

Shkruar nga Pamfleti

Interi fiton ndeshjen historike ndaj Torinos, zikaltërit triumfojnë

Pasi fitoi titullin kampion një javë më parë në derbi ndaj Milanit, Interi nuk është ndalur edhe në sfidën pasardhëse. Zikaltrit fituan 2-0 në shtëpi ndaj Torinos, duke e bërë edhe më të bukur festën me tifozët që do të pasojnë në “Piazza Duomo”. 

Pjesa e parë pati disa raste të mira shënimi për vendasit, por gjithsesi, ky fraksion u mbyll pa gola. E dyta nisi keq për miqtë, që u detyruan të luanin me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Tameses. Për këtë u desh edhe ndërhyrja e VAR. 

Dhe nuk vonoi shumë, Çalhanoglu zhbllokoi sfidën në minutën e 56 pas një pasimi të Mkitarian. Ende pa u shuar jehona e festës së golit të parë, zikaltrit përfituan penallti dhe turku nuk fali nga pika e bardhë për 2-0 kur regjistrohej minuta e 60-të. 

Më pas Çalhanoglu i la vendin Kristjan Asllanit, që hyri në fushë në minutën e 63. Në po të njëjtin minutë hyri edhe kosovari Vojvoda për miqtë. Pavarërisht se Interi krijoi edhe disa raste të tjera shënimi, nuk pati më gola. Kjo fitore vlen në aspektin e statistikave për Inzagin dhe kampionët e rinj, të cilët do të festojnë titullin gjithë pasdites në rrugët e Milanos me tifozët. 

Kjo ishte një ndeshje historike, pasi ka qenë e para e drejtuar nga një ekip arbitrash të përbërë vetëm nga femra.

inter torino seria a

Lini një Përgjigje