
Atë që nuk e bën Partizani e bën Astana. Kazakët shkruajnë historinë në “Elbasan Arena”. Miqve u ka mjaftuar fitorja e parë në shtëpinë e tyre dhe barazimi i sotëm 1-1, bëri që kazakistanit të “fluturonin” në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Të Kuqtë i mbyllën 45 minutat e para në avantazhin 1-0. Heroi i ekipit të Zoran Zekiç ishte Bintsuka me golin e realizuar në minutën e 24. Sulmuesi gjuajti me kokë pas një goditje këndi dhe gjeti rrugën e rrjetës.
Në minutën e 7, “Demat” patën shansin e artë për të zhbllokuar ndeshjen. Atanskoski lëshoi një predhë nga e majta, por portieri i miqve shmangu golin me grushtimin e tij.
7 minuta më vonë, miqtë nga Kazakistani iu afruan golit. Gafë e pabesueshme e mbrojtësve të Partizanit, të cilët i dhuruan topin Tomasov, i cili gjuajti qetë para portierit Qirko, por shtylla i mohoi golin Astanës.
Në minutën e 15, kombinimi perfekt Bintsuka-Cara, por ky i fundit gjeti përgjigjen e portierit Çondriç.
Në minutën e 43, Rrapaj tentoi supergolin me një gjuajtje nga e majta, por topi shkoi jashtë katërkëndorit.
Një minutë nga fundi i pjesës së parë, miqtë patën mundësinë e artë, pasi Tomasov nisi topin te Darboe nga e djathta, por gjuajtja e tij u ndal nga Qirko.
Sapo nisi pjesa e dytë, Astana gjeti golin e barazimit dhe të kualifikimit. Në minutën e 46, miqtë shënuan me gjuajtjen e parë me anë të Tomasov në zhvillimin e një rivënie anësore.
Në minutën e 62, Bintsouka pati shansin e artë për të dyfishuar shifrat për Partizanin dhe të mbante gjallë kualifikimin, por diçka e tillë nuk ndodhi.
4 minuta më vonë, Astana humbi mundësinë për të dyfishuar shifrat me portën e boshatisur.
Në minutën e 87, Partizani pati shansin për të realizuar golin që do ta dërgonte ndeshjen në shtesë, por Sota nuk u tregua i saktë, pasi topi shkoi me fat në duart e portierit të Astanës.
Lini një Përgjigje