
Përfundon pjesa e parë e ndeshjes së turit të fundit eliminator të Ligës së Konferencës. Partizani ka mposhtur me rezultatin minimal 1-0 Astanën në “Elbasan Arena” dhe është shumë pranë historisë.
Heroi i të kuqve në këto 45 minuta ishte Bintsuka me golin e realizuar në minutën e 24. Sulmuesi gjuajti me kokë pas një goditje këndi dhe gjeti rrugën e rrjetës.
Në minutën e 7, “Demat” patën shansin e artë për të zhbllokuar ndeshjen. Atanskoski lëshoi një predhë nga e majta, por portieri i miqve shmangu golin me grushtimin e tij.
7 minuta më vonë, miqtë nga Kazakistani iu afruan golit. Gafë e pabesueshme e mbrojtësve të Partizanit, të cilët i dhuruan topin Tomasov, i cili gjuajti qetë para portierit Qirko, por shtylla i mohoi golin Astanës.
Në minutën e 15, kombinimi perfekt Bintsuka-Cara, por ky i fundit gjeti përgjigjen e portierit Çondriç.
Në minutën e 43, Rrapaj tentoi supergolin me një gjuajtje nga e majta, por topi shkoi jashtë katërkëndorit.
Një minutë nga fundi i pjesës së parë, miqtë patën mundësinë e artë, pasi Tomasov nisi topin te Darboe nga e djathta, por gjuajtja e tij u ndal nga Qirko.
Në 45 minutat e dyta, Partizani do të kërkojë të dyfishojë shifrat dhe të shkruajë historinë për t’u kualifikuar për herë të parë në histori në grupet e Ligës së Konferencës.
Lini një Përgjigje