
Bajerni regjistroi një fitore të vuajtur në kampionat, teksa mposhti Lajpcigun me rezultatin 2-1, duke i dhënë fund serive negative. Skuadra e Tomas Tuhel iu fal dopietës së Herri Kejn, në duelin e vlefshëm për javën e 23 të Bundesligës. Ky ishte suksesi i 17 për kampionët në fuqi të Bundesligës që e shohin veten 8 pikë larg kryesuesve të Bajer Leverkusen.
Pjesa e parë nuk prodhoi gola, teksa në minutën e 56, ishte Kejn ai që i dhuroi avantazhi bavarezëve, ndërkohë që miqtë u këndërpërgjigjën me Seskon në minutën e 70.
Ishte pikërisht një dygolësh i anglezit që i dhuroi fitoren bavarezëve në ndeshjen e tyre të 1000 të luajtur në shtëpi në Bundesligë, klubi i parë në histori në kampionatin gjerman që e arrin këtë shifër.
Për golin e fitores mendoi sërish Kejn në minutën e parë të shtësës. Një tjetër hap fals në shtëpi, do të ishte fatal për ekipin e Tuhelit, që tashmë i duhet një mrekullie, për të parakaluar Leverkusenin.
Lini një Përgjigje