
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Volejbollit, pasi u njoh me pamjet filmike gjatë ndeshjes Korça Volley-Dinamo, U-18, ku trajneri Romeo Xega goditi dy lojtaret e Korçës gjatë pushimit mes seteve ka vendosur heqjen e licencës përgjithmonë për trajnerin.
Komiteti Ekzekutiv thotë se trajneri Xega ka qenë disa herë objekt i Komisionit të Disiplinës në FSHF, ku është penalizuar e dënuar me masa të ndryshme disiplinore dhe financiare.

Komiteti Ekzekutiv vendosi:
- Z. Romeo Xega i hiqet licensa e Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe përjashtohet përgjithmonë nga e drejta zyrtare për të ushtruar, drejtuar e trajnuar çdo lloj ekipi pjesë e aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombetare të FSHV-së. Federata Shqiptare e Volejbollit është konsekuente të zbatoj me përpikmëri e të ndëshkoj këdo që thyen Kodin e Etikës e Disiplinës dhe Rregulloren Brendshme duke denigruar figurën e sportit e duke prishur imazhin e lojës së volejbollit.
Më herët volejbollistja Rovena Gengo, e cila u qëllua me shpullë nga trajneri Romeo Xega, përmes një postimi në rrjetet sociale thotë se ajo që është raportuar në media nuk është e vërtetë, teksa shton se ka qenë vetë ajo e cila i kërkuar trajnerit ta godiste, pasi nuk po ndihej mirë.
“Përshëndetje! Unë jam sportistja për të cilën bëhet fjalë dhe më vjen shumë keq për ju që nxirrni lajme të rreme duke mos i ditur të gjitha. Sa për sqarim unë, në ato momente i kam kërkuar trajnerit të më godasë sepse nuk po ndihesha mirë dhe kisha vërtetë nevojë. Nuk mendoj se janë të nevojshme këto sulme kundrejt tij dhe nuk mendoj se është e drejtë të bëhet bujë një lajm i tillë. Faleminderit”, shkruan Rovena Gengo.
Lini një Përgjigje