
“Abissnet Superiore” ka mbetur në ajër duke qenë se FSHF ka ndërprerë bashkëpunimin me “OverSport”. Me anë të një deklarate për shtyp, FSHF ka njoftuar diçka të tillë duke dhënë edhe arsyet që kanë çuar në këtë vendim.
“Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se ka ndërprerë kontratën me shoqërinë “Over Sport” që kishte fituar të drejtën e transmetimit televiziv të kampionateve “Abissnet Superiore” dhe Kategorisë së Parë, si edhe të Kupës së Shqipërisë e Superkupës së Shqipërisë.
Ky vendim i FSHF-së ka ardhur pas shkeljeve dhe mospërmbushjes së detyrimeve kontraktore në mënyrë të përsëritur nga shoqëria “Over Sport”.
Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të FSHF-së për të rivendosur bashkëpunimin në një modul të arsyeshëm, “Over Sport” në mënyre të përsëritur shpërdoroi besimin e dhënë nga FSHF.
FSHF e ndjen për detyrim ndaj tifozëve dhe konsumatorëve në përgjithësi, të bëjë me dije këtë lajm duke i garantuar se do të bëjë çdo përpjekje për të siguruar transmetim televiziv profesional dhe të ndershëm për aktivitetet e saj.
Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit do të nisë procedurat ligjore në lidhje me rivendosjen e dëmeve që ka shkaktuar shoqëria në fjalë për mospërmbushjen e detyrimeve që përcaktonte kontrata e firmosur mes palëve në fillim të sezonit të kaluar”.

Lini një Përgjigje