
Milani i Serxhio Konseisaos do të luajë një pjesë të rëndësishme të sezonit në ndeshjen e kthimit të “play-off-it” të Ligës së Kampionëve kundër Fejmordit. Kuqezinjtë duhet të përmbysin humbjen 1-0 të pësuar në Roterdam një javë më parë dhe për të ndihmuar ekipin, Zlatan Ibrahimoviç mbështetet edhe tek efekti ‘San Siro’.
Megjithatë, thirrja e suedezit drejtuar tifozëve kuqezinj – “Kemi nevojë për ju!” – nuk do të ketë një përgjigje të plotë: ndryshe nga sa ndodh shpesh, stadiumi nuk do të jetë i mbushur plotësisht. Përkundrazi, krahas rreth 55 mijë tifozëve milanistë, do të jenë edhe 4,500 tifozë holandezë, prania e të cilëve ka ngritur alarmin për sigurinë në qytet, pas trazirave të shkaktuara në Romë disa vite më parë.
Siguria ka qenë dhe mbetet përparësi për autoritetet, të cilat duan të shmangin dëmet e ndodhura në kryeqytet. Që nga ajo kohë, tifozëve të Fejnordit nuk u është lejuar të ndjekin ndeshjet e skuadrës së tyre në Itali, siç kujtoi edhe trajneri i përkohshëm Boshart. Megjithatë, shpresohet që ftesa për të respektuar rregullat të merret parasysh.
Për të parandaluar incidentet, Policia ka vendosur masa edhe për Milanin, duke kufizuar shitjen e biletave vetëm për poseduesit e kartës “Cuore Rossonero”, si dhe duke ndaluar transferimin e biletave nga një person te tjetri. Ky kufizim, së bashku me orarin e caktuar nga UEFA për fillimin e ndeshjes (18:45), ka ndikuar në vështirësinë për të mbushur stadiumin ‘Meazza’.
Autoritetet vlerësojnë se qindra tifozë holandezë mund të mbërrijnë në Milano pa bileta, dhe për këtë arsye është marrë edhe vendimi për ndalimin e shitjes së pijeve alkoolike për konsum jashtë lokaleve.
Lini një Përgjigje