
Flamurtari ka mposhtur me rezultatin 3-0 Lushnjën në duelin e vlefshëm për javën e 18 të Kategorisë së Parë, duke marrë kryesimin e kampionatit pas barazimit në transfertë të Skënderbeut ndaj Burrelit.
Kuqezinjtë e Troisit, e dominuan totalisht përballjen ndaj lushnjarëve, duke shënuar plot 3 herë. Fillimisht ishte Juri që në minutën e 3 hapi serinë e golave, ndërkohë në minutën e 43, Basha shkaktoi autogol. Për të vulosur këtë duel mendoi Fabian Beqja në minutën e 70.
Ky ishte triumfi i tretë radhazi në kampionat për vlonjatët, që tashmë kërkojnë të mbajnë kryesimin. Sfidën e radhës Flamurtari do e luajë në transfertë ndaj Tërbunit të Pukës, ndërkohë që Lushnja pret Korabin.
Skënderbeu nuk ka mundur dot të mbajë vendin e parë në renditje, teksa është ndalur në barazim 0-0 në “Liri Ballabani” nga skuadra e Burrelit.
Korçarët në këtë sfidë vuajtën shumë për të ndërtuar aksione për të gjetur më pas edhe golin, me vendasit që rrezikuan në disa raste, ndërsa u ndalën vetëm nga shtylla.
Skënderbeu gjeti golin në minutën e 90, por u quajt i parregullt nga gjyqtari Andi Koçi. Në fund nuk mungoi edhe sherri mes lojtarëve të Skenderbeut, qe u përplasën me gjyqtarin kryesor, pasi ky u anuloi edhe golin në minutën e 90.
Një barazim ky që i zbret nga froni i Kategorisë së Parë. Gjithashtu Dinamo i barazon me pikë në renditje pas fitores së sotme ndaj Besëlidhjes.
Lini një Përgjigje