
Kanë përfunduar katër ndeshjet e para të vlefshme për fazën “play-off” të Ligës së Europës, me rezultate që favorizojnë skuadrat udhëtuese dhe që lënë të hapur kualifikimin për takimet e kthimit.
Surpriza më e madhe e mbrëmjes erdhi në Stamboll, ku Fenerbahçe u mposht 0-3 nga Notingam Forest. Skuadra angleze zhbllokoi rezultatin në minutën e 21-të me Murijo, ndërsa Igor Zhesus dyfishoi shifrat në të 43-ën.
Në pjesën e dytë, Morgan Gibs-Uajt shënoi golin e tretë në minutën e 50-të, duke vulosur një fitore të thellë në transfertë dhe duke i dhënë avantazh të konsiderueshëm ekipit anglez për ndeshjen e kthimit.
Bolonja arriti një fitore të rëndësishme 0-1 në transfertën ndaj Branit në Norvegji. Goli i vetëm i takimit u shënua nga Santiago Kastro në minutën e 9-të, pas një aksioni të gjatë dhe këmbëngulës të italianëve.
Skuadra italiane administroi rezultatin deri në fund, duke marrë një avantazh minimal, por të vlefshëm për sfidën e dytë.
Në Selanik, PAOK u mposht 1-2 nga Selta Vigo. Spanjollët kaluan në avantazh në minutën e 34-t me Iago Aspas, pas një gabimi të vendasve në mesfushë. Pak minuta më vonë, në të 43-ën, Svedberg dyfishoi rezultatin për miqtë.
Grekët reaguan në pjesën e dytë dhe ngushtuan diferencën me Jeremejef në minutën e 77-të, duke mbajtur gjallë shpresat për përmbysje në ndeshjen e kthimit.
Genk siguroi një tjetër fitore të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur 1-3 Dinamon e Zagrebit. Belgët realizuan dy gola të shpejtë me Brajan Hejnen në minutën e 15-të, me kokë pas një goditjeje nga këndi, dhe me El Ouahdi në minutën e 20-të, pas një kundërsulmi të shpejtë.
Dinamo ngushtoi shifrat në fund të pjesës së parë me Dion Beljo, por El Ouahdi shënoi sërish në kohën shtesë, duke vulosur fitoren 1-3 dhe rezultatin përfundimtar.
Futbollisti shqiptar Arbër Hoxha e nisi takimin si titullar dhe qendroi në fushë për 71 minuta, pa arritur të shënojë.
Ndeshjet e kthimit pritet të përcaktojnë ekipet që do të sigurojnë kalimin në fazën e ardhshme të kompeticionit.
Lini një Përgjigje