
Fenerbahçe ka arritur një fitore bindëse 4-0 ndaj Gaziantep në Kupën e Turqisë, edhe pse në pankinë nuk ishte trajneri i saj, Domeniko Tedesko.
Tekniku i skuadrës turke mungoi edhe në këtë përballje, ashtu si në ndeshjen e mëparshme kundër Antaliasporit, për shkak të një infeksioni që e ka detyruar të qendrojë përkohësisht larg aktivitetit profesional.
Përmes një komunikate zyrtare, klubi i Fenerbahçes sqaroi situatën shëndetësore të trajnerit, duke bërë të ditur se Tedesko është duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Ndërkohë, drejtimi i skuadrës në këto ndeshje i është besuar ndihmës-trajnerit Zeki Murat Gole.
Pavarësisht mungesës së trajnerit kryesor, Fenerbahçe arriti të dominojë takimin ndaj Gaziantep dhe të sigurojë një fitore të thellë në kuadër të Kupës së Turqisë.
Sipas informacioneve nga stafi mjekësor i klubit, rikthimi i Tedeskos në pankinë pritet të ndodhë shumë shpejt. Ai mund të jetë i pranishëm që në ndeshjen e fundjavës në kampionat, ku Fenerbahçe do të luajë në transfertë ndaj Samsunspor, një përballje e konsideruar delikate për skuadrën.
Lini një Përgjigje