
Momente tensioni u regjistruan në minutën e 74, kur sulmuesi i Tiranës, Tabeku, shënoi golin e tretë në derbin ndaj Partizanit. 28-vjeçari nga Kameruni, zgjodhi të festonte pranë stolit të të kuqve, teksa kjo gjë nuk u prit aspak mirë nga kundërshtarët, ndërkohë që dozat e tensionit u rritëm ndjeshëm.
Për fat të mirë kjo situatë nuk zgjati shumë dhe gjithçka iu rikthye normalitetit, me bardheblutë që festuan fuqishëm epërsinë e 3 golave.
Tirana u “zgjua” pas 6 javësh dhe një gjë të tillë e bëri në derbi. Bardheblutë morën fitoren e parë në këtë sezon në Abissnet Superiore dhe mposhtën me rezultatin e pastër 0-3 Partizanin në derbin e 206 në historinë e dy klubeve.
Skuadra e drejtuar nga Bordin zhbllokoi ndeshjen në minutën e 19, kur një top i gjatë i Soler për Falaje dhe sulmuesi nigerian mposhti me kokë Alban Hoxhën, duke përfituar dhe nga një dalje e gabuar e portierit legjendar të të kuqve.
Tirana dyfishoi shifrat në minutën e 28, Patsatsia u pengua brenda zonës nga Marku, arbitri kryesor i takimit dha penallti për ekipin bardheblu. Sulmuesi gjeorgjian mposhti portierin Alban Hoxha dhe i dha avantazhin e dyfishtë kryeqytetasve.
Pjesa e parë u mbyll me shifrat 0-2 për Tiranën.
Në minutën e 74, bardheblutë i dhanë “goditjen” finale Partizanit me golin e tretë. Ismajli nxori mirë Tabekun para Qirkos dhe ai nuk gaboi para portës.
Me këtë fitore, Tirana ngjitet në vendin e 8 m e 5 pikë, ndërsa Partizani zbret në “zonën e ftohtë”, pikërisht në vendin e 9 me 4 pikë.
Lini një Përgjigje