
Eliminimi i Milanit nga Liga e Kampioneve ka befasuar shumëkënd për mënyrën se si erdhi, pasi kuqezinjtë dukej se kishin gjithçka në dorë me golin e shpejtë ndaj Fejnordit. Dhe siç ndodh pas eliminimeve të tilla, nis gara për të kërkuar fajtorin, ku në bankën e të akuzuarve është kryesisht Teo Hernandez.
Ai mori karton të kuq në fillimin e pjesës së dytë dhe dëmtoi shanset e skuadrës së tij për të vazhduar me tej, ndaj edhe legjenda e Milanit, Alesandro Kostakurta, nuk ngurron ta cilësojë si fajtorin kryesor të kësaj ndeshje për t’u harruar.
“Sot bie një perde e errët e pabesueshme mbi sezonin e Milanit. Unë kisha shumë kohë që nuk shihja kaq shumë gabime në një ndeshje të dyfishtë me eliminim direkt”, tha ai në studion e “Sky Sport” pas duelit.
“Nuk mund të pranohen dhe as të justifikohen, sidomos ato të kryera nga Teo Hernandez, duke parë eksperiencën e tij, nuk mund të bëhen. Ky është viti i tij më i keq në karrierë dhe sonte është pikërisht qershia mbi tortë. Mund të themi qetësisht që faji i eliminimit të Milanit është i Teo Hernandez”, tha pa hezituar ish-mbrojtësi i kuqezinjve.
Edhe legjenda tjetër e Milanit, Zvonimir Boban ndan të njëjtin mendim si Alesandro Kostakurta.
“Për mua sonte Teo është fajtori i madh. Më falni, por ka vite që e bën këtë gjë. Dhe e meriton. Gjen një Marshiniak që ka b*le dhe mirupafshim e lamtumirë.
Milani mund të kishte luajtur gjithsesi edhe me dhjetë, zëvendësimet janë të diskutueshme: duhet të kishte mbajtur Gimenez në fushë. Mëkat, sepse në pjesën e parë ishte duke luajtur mirë skuadra kuqezi.
Duhet t’i gjejmë rrënjët e problemit… Në Zagreb, Dinamo ime nuk mund të konkurrojë me Milanin, të flasim drejt. Që aty nis gjithçka.
Kaq shumë ndeshje të humbura, kaq shumë zgjedhje të këqija nga klubi dhe lojtarët. Ka ardhur koha për të bërë një bilanc. Ne kurrë nuk kemi përjetuar një sezon të ngjashëm me Milanin këtë vit.”
Lini një Përgjigje