
Kristian Shpendi ka rinovuar me Çezenën. Klubi i Serisë B ka dhënë lajmin, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
Sulmuesi kuqezi, do të qëndrojë tek ekipi italian, të paktën deri në vitin 2028. 21-vjeçari ka luajtur 14 ndeshje në këtë sezon, ku ka shënuar 10 gola. Në edicionin e kaluar, Shpendi realizoi 20 gola.
Napoli, Atalanta, Torino dhe Fiorentina kishin shfaqur interes konkret për futbollistin, por jo vetëm pasi përveç “gjigantëve” të Serisë A shërbimet e tij i kërkonin edhe Kaljari, Komo e Leçe, ku Shpendi mund të kishte një vend të sigurtë titullari në formacionin bazë.
“Diamanti” i Çezenës ka marrë një vendim bashkërisht me klubin, teksa nuk do të lëvizë, pavarësisht ofertave për të.
“Çezena njofton se i ka zgjatur kontratën sulmuesit Kristian Shpendi deri më 30 qershor 2028.
Me mbërritjen në sektorin e të rinjve të Çezenës në verën e vitit 2019, sulmuesi i lindur në vitin 2003 fillimisht luajti në radhët e ekipeve U-17 dhe Primavera përpara se të bënte debutimin e tij në ekipin e parë në fillim të sezonit 2021-2022.
Në mesin e protagonistëve të fitores së kampionatit të Serisë C 2023-2024, me fanelën e Çezenës, ai ka shënuar 35 gola në 80 paraqitje gjithsej.
E gjithë familja e Çezenës i uron Kristianit fat në vazhdimin e aventurës së tij me bardhezinjtë”, shkruhet në njoftimin e klubit.
Lini një Përgjigje