
Sportingu i Lisbonës dhe Atalanta nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 në ndeshjen e parë të 1/8-ave të Ligës së Europës, në sfidën e mbajtur në Lisbonë. Në minutën e 17, një top magjik i Trinkaos gjeti të papërgatitur mbrojtjen e skuadrës italiane, me të majtën “vrasëse” të Paulinjos që shkoi në cepin e portës, aty ku ishte e pamundur për t’u arritur nga portieri Muso.
Të besuarit e Gasperinit nuk u pajtuan me rezultatin dhe kërkuan me ngulm golin e barazimit. Bergamsakët dërguan shifrat në 1-1 në fundin e pjesës së parë, atëherë kur Skamaka përfitoi në maksimum nga një gafë në prapavijën vendase.
Pjesa e dytë ishte mjaft e ekuilibruar, të dyja skuadrat frikësohëshin nga pësimi i golit të dytë. El-Bilal ndëshkoi Sportingun në fundin e sfidës, por goli u anulua për pozicion të parregullt, vendim ky, i cili u konfirmua edhe pas një kontrolli të shpejtë me anë të sistemit VAR. Fati i skuadrës që kualifikohet do të vendoset në takimin e kthimit, në javën që vjen!
Lini një Përgjigje