
UEFA ka hedhur sot në Nion të Zvicrës shortin e fazës së parë të kualifikuesve të Europianit U-17 për edicionin 2025. Ky edicion do të jetë i veçantë për vendin tonë, pasi Shqipëria është pritëse e fazës finale të turneut.
Në short morën pjesë 54 skuadra së bashku me Shqipërinë që është vendi pritës i finaleve. Skuadrat u ndanë në 14 grupe, 12 grupe me nga katër skuadra dhe 2 grupe me nga tre skuadra. Shqipëria U-17 u pozicionua në Grupin 3 së bashku me Holandën, Kroacinë dhe Ishujt Faroe.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë fazë të turneut është thjesht për të testuar grupin e futbollistëve që ka në dispozicion trajneri Bledi Shkëmbi, pasi skuadra shqiptare është e kualifikuar automatikisht si pritëse në fazën finale të turneut.
Të gjitha ndeshjet e raundit të parë të kualifikueseve do të luhen në periudhën korrik – nëntor të këtij viti, teksa në raundin e dytë do të kualifikohen 28 ekipe, pra vendi i parë dhe i dytë i çdo grupi. Edhe në raundin e dytë do të hidhet shorti nga UEFA, ku skuadrat do të ndahen në shtatë grupe me nga katër ekipe.
Pas përfundimit të ndeshjeve kualifikuese të raundit të dytë, shtatë vendet e para të çdo grupi do t’i bashkëngjiten Shqipërisë, që është e kualifikuar automatikisht si vendi organizator.
Lini një Përgjigje