
Liam Rosenior ka njoftuar se ka arritur një marrëveshje verbale për të marrë drejtimin e Çelsit deri në vitin 2032, duke zëvendësuar Enzo Mareska në “Stamford Bridge”.
Trajneri i ardhshëm pritet të largohet nga Strasburgu, klubi partner i Çelsit, për të nisur aventurën e re në Premier Ligë.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur të martën në Strasburg, Rosenior theksoi:
“Ende nuk kam nënshkruar kontratën, por kemi rënë dakord verbalisht me Çelsin. Është një mundësi e jashtëzakonshme dhe nuk mund ta refuzoja. Gjithçka është e dakorduar dhe pritet të finalizohet gjatë orëve të ardhshme. Jam këtu për t’u përgjigjur pyetjeve tuaja para se të nis këtë kapitull të ri.”
Pas largimit të Enzo Mareska nga Çelsi javën e kaluar, Rosenior u bë menjëherë kandidati kryesor për stolin. Lëvizja u vonua për pak kohë pasi“BlueCo“, pronari i Çelsit dhe Strasburgut, duhej të koordinonte interesat e të dy klubeve. Strasburgu tashmë po punon për të emëruar trajnerin e ri, me Gary O’Neil ndër kandidatët kryesorë.
Rosenior u shpreh gjithashtu për eksperiencën e tij në Strasburg: “18 muajt e fundit kanë qenë më të mirët në karrierën time profesionale. Kam krijuar kujtime të jashtëzakonshme dhe historia nuk do të ndodhte pa mbështetjen e pronarëve dhe punën e palodhur të presidentit tonë.”
Trajneri i ri, i cili largohet nga Strasburgu me skuadrën e tij të re në vendin e shtatë në Ligën 1, ka marrëdhënie të ngushta me tre nga pesë drejtuesit sportivë të Çelsit, duke bërë që ndryshimet taktike të jenë minimale. Çelsi, aktualisht i pesti në Premier Ligë, do të përballet me Fulhamin të mërkurën dhe do të presë Arsenalin në gjysmëfinalen e Carabao Cup javën e ardhshme.
“Jam shumë i emocionuar për të ardhmen. Kam punuar gjithë jetën për të qenë trajner dhe për të drejtuar një klub të nivelit botëror. Sigurisht që ka një trishtim për atë që po lë pas, por ky është një moment emocionues,” shtoi Rosenior.
Lini një Përgjigje