
Partizani është e eliminuar nga kualifikueset e Conference League që në turin e parë. Kryeqytetasit u mundën në “Air Albania” me rezultatin 0-1 nga skuadra estoneze Kalju, në një sfidë që u zgjidh vetëm në shtesë, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Estoni.
Gjatë kohës së rregullt, “Demat e kuq” dominuan dhe patën disa raste të mira për gol. Mundësia më e artë erdhi në minutën e 80’, kur Partizani fitoi një 11-metërsh. Por sulmuesi Skuka gaboi nga pika e bardhë, duke u ndalur nga portieri kundërshtar dhe humbur shansin për të zhbllokuar ndeshjen.
Në minutat shtesë, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të marrë avantazhin, ishte Kalju që goditi me saktësi. Në një kundërsulm të rrufeshëm në minutën e 104’, Ivanov shënoi golin vendimtar që eliminoi Partizanin nga Europa dhe i dha estonezëve një kualifikim surprizë.
Kështu, Partizani e mbyll shumë herët aventurën europiane, në një tjetër verë që i shton zhgënjimet për tifozët e kuq. Tashmë, skuadra duhet të rikuperojë moralin dhe të përqendrohet në përgatitjet për sezonin e ri të kampionatit, ku kërkesat dhe presioni do të jenë edhe më të larta.
Lini një Përgjigje