Ekipi shqiptar ka zbarkuar në Nish, ku do të akomodohet në hotel e më pas do të niset për në stadiumin “Duboçiça”, ku do të zhvillojë dhe seancën e fundit stërvitore përpara ndeshjes të së shtunës.
Nga pamjet e publikuara nga gazetari Endi Tufa, skuadra kuqezi u prit nga qindra forca policie në stadium, të cilat mundësuan që rruga e ekipit shqiptar nga pista e uljes direkte në hotel të ishte pa probleme, duke shmangur kontrollin në aeroport.
Në orën 16:30, trajneri Sylvinho do të dalë përpara mediave në konferencë, ndërsa në 17:30 do të zhvillohet dhe seanca e fundit stërvitore.
Sfida do të luhet në orën 20:45, ditën e nesërme.
Ndërkohë grupimi “Tifozat Kuqezi” kanë njoftuar se do të mblidhen në një organizim special për të mbështetur të shtunën Kombëtaren shqiptare për ndeshjen kundër Serbisë, të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës.
“Ashtu si në vitin 2014, të shtunën mblidhemi te “Sheshi Italia” në Tiranë për të ndjekur së bashku ndeshjen kundër shkijeve, në një ekran të vendosur nga ne. Le të bashkohemi, të këndojmë me gjithë zemër dhe në fund të festojmë fitoren!”, njofton TKZ në rrjetet sociale.
Të enjten, Kombëtarja shqiptare zhvilloi seancën e fundit stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit” nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, për t’u nisur të premten drejt Nishit e më pas Leskovacit, ku edhe do të zhvillohet takimi i shumëpritur.
Para kësaj sfide, Shqipëria mban vendin e dytë në grupin K, me 8 pikë në 5 takime të luajtura, ndërsa Serbia ka 7 pikë me një ndeshje më pak. Anglia kryeson grupin me 15 pikë.
Lini një Përgjigje