
Duket se fati është kthyer në anën e Egnatias në Ligën e Konferencës. Me një short “play-off”-i të përballueshëm, rrogozhinasit kanë si test të fortë përballjen e turit të tretë me Olimpija Ljubljanën. Por një “ndihmë” u ka ardhur nga vetë sllovenët.
Këta të fundit sapo kanë shkarkuar trajnerin e ekipit të parë, Zhorge Simaon, pas një rezultati katastrofë në kampionat, ku në javën e tretë të tij u mundën me shifrat 5-0 nga Çelje. Trajneri portugez ishte emëruar më 13 qershor, por rezultatet nën drejtimin e tij nuk kanë qenë të duhurat duke sjellë edhe shkarkimin nga detyra.
Për ndeshjet ndaj Egnatias dhe në vijim, ekipi slloven i është besuar kroatit Ivan Senzenov. Ky i fundit ka qenë trajner i të rinjve të Olimpija Ljubljanës në të kaluarën ndaj e njeh mirë klubin. Megjithatë, koha e paktë në dispozicion për të përgatitur ndeshjet ndaj Egnatias, do të jenë një bonus i rëndësishëm për skuadrën e Edlir Tetovës duke shtuar shanset për kalimin e turit.
Lini një Përgjigje