
Ernest Muçi është ftuar nga trajneri i Kombëtares, Silvinjo, për ndeshjet e muajit mars. Konfirmimi ka ardhur fillimisht nga klubi turk i Trabzonsporit përmes rrjeteve sociale, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit pritet të publikojë listën e plotë të lojtarëve të grumbulluar gjatë ditës së nesërme.
Ftesa e Muçit konsiderohet një rikthim i rëndësishëm në përfaqësuese, veçanërisht pas një periudhe ku hapësirat e tij me fanelën kuqezi kanë qenë të kufizuara. Gjatë vitit 2025, ai është aktivizuar vetëm për rreth 30 minuta në total me Kombëtaren. Ndërkohë, forma e tij me Trabzonsporin ka qenë në rritje, çka duket se ka ndikuar në vendimin e stafit teknik.
Kombëtarja shqiptare do të përballet me Poloninë në transfertë në kuadër të fazës “play-off” për Botërorin. Takimi gjysmëfinal është planifikuar të zhvillohet më 26 mars, në orën 20:45. Mbetet ende e paqartë se çfarë roli konkret do të ketë Muçi në këtë përballje vendimtare.

Lini një Përgjigje