
Trajneri i përfaqësueses së Polonisë, Jan Urban, ka publikuar këtë të premte listën me 25 futbollistët e grumbulluar për ndeshjen ndaj Shqipërisë, e vlefshme për play-off-in e Kupës së Botës 2026. Takimi do të zhvillohet më 26 mars në Varshavë.
Në një deklaratë për mediat polake, 63-vjeçari e cilësoi përballjen ndaj kuqezinjve si një sfidë të vështirë, duke theksuar se skuadra shqiptare është analizuar në detaje.
Sipas Urban, Shqipëria paraqitet si një ekip i konsoliduar dhe me stabilitet në lojë. Ai vuri në dukje se nën drejtimin e trajnerit Sylvinho, prej rreth tre vitesh, përfaqësuesja shqiptare ka shënuar progres të dukshëm, duke arritur rezultate të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
Trajneri polak theksoi gjithashtu sukseset e Shqipërisë në ndeshje të mëparshme kualifikuese, përfshirë rezultatet pozitive ndaj kundërshtarëve të fortë, si dhe një fitore në transfertë ndaj Serbisë.
Duke u ndalur te aspekti teknik, Urban e përshkroi stilin e lojës së Shqipërisë si të organizuar dhe të disiplinuar, veçanërisht në mbrojtje.
“Shqipëria ka futbollistë cilësorë që luajnë në ekipe të rëndësishme. Ata aplikojnë një model loje të ngjashëm me futbollin italian, me fokus te mbrojtja dhe kompaktësia. Nuk shënojnë shumë gola, por pësojnë pak. Për këtë arsye, na pret një përballje shumë e fortë dhe nuk duhet ta nënvlerësojmë kundërshtarin”, u shpreh ai.
Fituesi i kësaj sfide do të përballet me fituesin e çiftit Ukrainë–Suedi, ndërsa finalja e play-off-it është planifikuar të luhet më 31 mars.
Lini një Përgjigje