
Tashmë dihet që Didier Deshamp do të qendrojë në pankinën e Francës deri në përfundim të Botërorit të vitit të ardhshëm që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, me teknikun Kampion Bote në vitin 2018 që e ka deklaruar këtë prej kohësh.
Padyshim që Zinedin Zidan është favoriti kryesor për t’u bërë trajneri i ardhshëm i Francës pas Kupës së Botës dhe kjo ide po merr gjithnjë e më shumë formë, madje sipas gazetarit të specializuar në çështjet e merkatos së transferimeve, Fabricio Romano, kalimi i Zidan në pankinën e Bluve është praktikisht një fakt i kryer.
Gjithnjë sipas Fabricio Romanos, asgjë nuk është nënshkruar ende, ndërkohë që vetë Zinedin Zidan nuk ka pranuar oferta të tjera pasi pret të ulet në stolin e përfaqësueses franceze. Por ai dëshiron të respektojë Didier Deshamp që do të largohet nga posti i tij në fund të muajit korrik, ndërkaq edhe te Federata Franceze e Futbollit nuk flitet për këtë temë teksa të gjithë janë të përqendruar te Botërori 2026.
Lini një Përgjigje