
Trabzonspori ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar sa i përket aktivizimit të opsionit të blerjes së kartonit të Ernest Muçit. Edhe pse situata shihet si një çështje kohe, zhvillimet e fundit tregojnë se e ardhmja e mesfushorit shqiptar mbetet e hapur.
Sipas gazetarit turk Ertan Suzgun, Beshiktashi po shqyrton disa skenarë të mundshëm për lojtarët e huazuar, përfshirë edhe Muçin, i cili më herët konsiderohej jashtë planeve të skuadrës. Megjithatë, raportimet në mediat turke kanë qenë kontradiktore ditët e fundit, duke lënë të kuptohet se qendrimi i klubit mund të ndryshojë.
“Përfaqësuesit e lojtarëve që Beshiktashi i ka huazuar pritet të mbërrijnë së shpejti në Stamboll. Ka disa futbollistë që aktualisht nuk janë pjesë e planeve të ekipit. Nëse opsionet për Muçin dhe Semihin nuk shfrytëzohen, ata po rishqyrtohen për t’u rikthyer në skuadër”, është shprehur Suzgun.
Ndërkohë, situata e Muçit në fushë nuk ka qenë e qendrueshme. Futbollisti nuk është aktivizuar prej rreth një muaji me Trabzonsporin, për shkak të një dëmtimi të pësuar pas rikthimit nga angazhimet me Kombëtaren shqiptare. Sipas informacioneve, rikuperimi i tij i plotë pritet të ndodhë në ditët në vijim.
Lini një Përgjigje