
Nuk është dita e Marash Kumbullës. Ndeshja në shtëpi e Romës me Sasuolon përfundoi pas 44 minutash për mbrojtësin e Shqipërisë. Kumbulla, në përpjekje për të mbrojtur një top, goditi Berardin. Arbitri akordoi penallti, ndërkohë që nuk mungoi kartoni i kuq për futbollistin e përfaqësueses sonë.
Sulmuesi i Sasuolos i dha një të shtyrë me këmbë portierit dhe Kumbulla reagoi duke e goditur lehtë me shkelm në pjesën e pasme të kofshës futbollistin e shtrirë në tokë. Në fushë plasi një zënkë e vogël, teksa gjyqtari iu drejtua VAR-it për të parë pamjet. Pas rishikimit të tyre, ai nuk hezitoi të tregonte kartonin e kuq për Kumbullën, si dhe të ndëshkonte edhe me penallti Romën.
Ky ishte kartoni i dytë i kuq në Serinë A për Kumbullën, i pari me fanelën e Romës. Për herë të parë ai ishte ndëshkuar me të kuq kur luante me Veronën, në ndeshjen e humbur ndaj Juventusit me shifrat 2-1 në shtatorin e vitit 2019.
Trajneri Murinjo e ka preferuar Kumbullën vetëm disa herë këtë sezon, pasi ka menduar se të tjera alternativa janë të duhura. Ky episod me shumë mundësi do i kushtojë shumë lojtarit, duke ditur edhe karakterin e teknikut portugez.
Lini një Përgjigje