TAGS-AT E JAVËS

Sport10 Shkurt 2025, 18:46

Dhuna në derbi, FSHF nxjerr blof policinë: Refuzoi të garantojë sigurinë e ndeshjes, mbërriti me vonesë në stadium

Shkruar nga Pamfleti

Dhuna në derbi, FSHF nxjerr blof policinë: Refuzoi të

Federata e Futbollit ka reguar mbi incidentet dje në përballjen mes Partizanit dhe Tiranës. Gjatë ndeshjes dhe pas saj pati dhunë dhe përplasje mes tifozëve, teksa Partizani akuzoi policinë që nuk mori përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes. Vetë Policia reagoi sot duke ja faturuar përgjegjësinë FSHF-së dhe klubit.

FSHF në reagimin e saj shprehet se është përgjegjësi e forcave të rendit mbarëvajtja e sigurisë.  “Policia e Shtetit ka mbërritur me vonesë në stadiumin e Partizanit, duke lënë hapësirë për përplasjen e tifozerive jashtë stadiumit, siç duket qartë pa asnjë plan masash, që zakonisht bëhet publik gjithmonë para ndeshjeve derbi. Madje, Policia nuk mori përsipër fillimisht për të shoqëruar ekipin e Tiranës drejt stadiumit, gjë që solli edhe shtyrjen e ndeshjes me 30 minuta”, shprehet FSHF.

Reagimi i FSHF

Federata e Futbollit dëshiron të sqarojë opinion publik në lidhje me sjelljen dhe qëndrimin e Policisë së Shtetit në ndeshjen e kategorisë “Abissnet Superiore”, Partizani-Tirana të luajtur në stadiumin “Arena e Demave” të dielën.

Federata ka ndjekur të gjitha procedurat dhe protokollin standard për organizimin e ndeshjes, duke vënë në dijeni përmes shkresave Policinë e Shtetit dhe në bashkëpunim me klubin e Partizanit, që ishte pritës, ka marrë masat përkatëse për sigurinë e ndeshjes dhe me shoqërinë private të sigurisë fizike.

Dëshirojmë të sjellim në vëmendje se Ligji për Sportin Nr. 105/2020 i ndryshuar në nenin 51 thotë se “ruajtja e rendit dhe e sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit”.

Përveç ligjit për sportin, vitin e kaluar është firmosur një memorandum bashkëpunimi mes Federatës së Futbollit dhe Ministrisë së Brendshme, që e bën të qartë se Policia e Shtetit “merr përsipër ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në stadiumet dhe mjediset sportive”.

Sipas këtij memorandumi, Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me FSHF-në, harton dhe zbaton masa shtesë sigurie për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve, spektatorëve dhe palëve të interesuara, nëpërmjet Policisë së Shtetit.

Për t’u kthyer te derbi i të dielës, Policia e Shtetit ka mbërritur me vonesë në stadiumin e Partizanit, duke lënë hapësirë për përplasjen e tifozerive jashtë stadiumit, siç duket qartë pa asnjë plan masash, që zakonisht bëhet publik gjithmonë para ndeshjeve derbi. Madje, Policia nuk mori përsipër fillimisht për të shoqëruar ekipin e Tiranës drejt stadiumit, gjë që solli edhe shtyrjen e ndeshjes me 30 minuta.

Siç u pa, në momentin që forcat e policisë erdhën në stadium dhe morën kontrollin e situatës, duke bërë detyrën e tyre, nuk pati incidente mes tifozëve. Gjithashtu, u konfirmua se stadiumi i Partizanit është i përshtatshëm për të pritur ndeshje të këtij niveli dhe mjafton që policia të kryejë detyrën e vet funksionale që ia ngarkon ligji për të siguruar rendin në mjediset sportive.

Federata shpreh keqardhje për incidentet dhe për lëndimin e disa tifozëve dhe efektivëve të policisë, por thekson se këto incidente erdhën si pasojë e mungesës së përgjegjësisë nga ana e zyrtarëve të policisë.

Ky në fakt nuk është rasti i parë kur Policia e Shtetit refuzon të bëjë detyrën dhe të bashkëpunojë me klubet dhe Federatën, pasi edhe në raste të tjera nuk ka pranuar të marrë përsipër sigurinë e ndeshjeve për arsye të pabazuara. Dhe pavarësisht se përmes shkresave kanë refuzuar të bëjë detyrën, sërish efektivët e Policisë së Shtetit janë paraqitur para ndeshjeve dhe kanë marrë kontrollin e rendit dhe sigurisë.

Federata është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet për mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe garave sportive. Por nëse kjo lloj qasjeje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, Federata është e detyruar të rishikojë qëndrimin e saj dhe të marrë masa ekstreme deri në pezullimin e garave kombëtare të futbollit për një afat të pacaktuar.

Lini një Përgjigje