
Shqipëria zbret sot në fushë në një ndeshje kyçe për shpresat e kualifikimit, por pa mbështetjen e plotë të tifozëve. Dueli kundër Letonisë, që zhvillohet në orën 20:45 në “Air Albania”, do të luhet pa praninë e Tifozëve Kuqezi në shkallët e stadiumit, si pasojë e një dënimi të vendosur nga FIFA.
Federata Shqiptare e Futbollit është ndëshkuar me reduktimin e 20% të kapacitetit të stadiumit, për shkak të sjelljes së tifozëve shqiptarë në ndeshjen e 7 qershorit kundër Serbisë. Thirrjet fyese dhe kore të papërshtatshme janë cilësuar si shkelje e rëndë nga FIFA, e cila ka marrë masa të menjëhershme. Si pasojë, tribuna ku zakonisht vendoset grupimi TKZ është bosh.
Në stadium pritet të jenë rreth 16.500 spektatorë, shumë më pak nga ç’mund të mbante kapaciteti i plotë i “Air Albania”. Mungesa e grupimit më të organizuar të tifozëve ka lënë një boshllëk të ndjeshëm në atmosferën që zakonisht karakterizon përballjet e Kombëtares.
Pavarësisht penalizimit, kuqezinjtë janë të detyruar të marrin 3 pikët, për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në fazat e mëtejshme. Trajneri Silvinjo ka kërkuar përqendrim maksimal dhe ka bërë thirrje për përkrahje pozitive dhe civilizuar nga tifozët e pranishëm.
Lini një Përgjigje