
Ndeshja e prapambetur e Kategorisë së parë mes Elbasanit dhe Bylisit nisi me një atmosferë të bukur festive, gjë të cilën e dhuroi prania e konsiderueshme e tifozëve në stadium, ku mendohet se janë afro 7 mijë të pranishëm.
Por nuk kishte sesi të shkonte gjithçka mirë, pasi nuk kanë munguar edhe momentet e tensionit dhe përplasjet në distancë mes dy tifozërive. Disa tifozë të Elbasanit kanë shkuar pranë sektorit të tifozëve ballshiotë, ku përveç ofendimeve nuk kanë munguar edhe hedhjet e sendeve.
Me ndërhyrjen e forcave të policisë është bërë e mundur që të evitohet përplasja fizike mes dy kampeve të tifozërive në “Elbasan Arena”.
Elbasani dhe Bylis kanë barazuar në ndeshjen e prapambetur, e cila ishte vlefshme për javën e 11 të Kategorisë së Parë. Sfida e zhvilluar në “Elbasan Arena” përfundoi me rezultatin 2-2. Golat për Elbasanin u shënuan nga Greca dhe Telushi, ndërsa për ballshiotët realizuan Xheferson dhe Kamara.
Me këtë barazim, Bylisi mbetet në vendin e parë me 39 pikë, duke e mbyllur vitin si kampion dimri. Ndërsa Elbasani renditet në vendin e dytë me 36 pikë.
Lini një Përgjigje