TAGS-AT E JAVËS

Sport30 Janar 2026, 16:01

Bora, Osimhen dhe Mauro Ikardi; sa fantazma për Juventusin dhe Spaletin kundër Gallatasarajit

Shkruar nga Pamfleti

Bora, Osimhen dhe Mauro Ikardi; sa fantazma për Juventusin dhe Spaletin

Juventusi do të përballet me Gallatasarajin në fazën e “playoff”-it të Ligës së Kampioneve. Shorti i hedhur në Nion rikthen fantazma të vjetra për bardhezinjtë, por edhe për Luçiano Spaletin.

Mendimi i parë që vjen për tifozët e “Zonjës së Vjetër” shkon te ndeshja e luajtur mes borës në Stamboll. Ishte raundi i fundit i fazës së grupeve në sezonin 2013-2014 dhe Juventusi i Antonio Kontes luante kalimin e raundit kundër Gallatasarajit të Roberto Mançinit. Ndeshja e parashikuar në 10 dhjetorin e atij viti u ndërpre për shkak të reshjeve të dendura të borës për të vazhduar ditën tjetër.

Bardhezinjve u mjaftonte barazimi për të kaluar në fazën me eliminim direkt, por një gol i ish-interistit Uesli Shnjader, 5 minuta nga fundi i ndeshjes e dërgoi Juventusin në Ligën e Europës.

Duke u kthyer në kohët më të fundit, Spaleti do të ritakojë dy njohje të vjetra në këtë përballje. E para është, Viktor Osimhen me të cilin trajneri toskan fitoi titullin e Serisë A me Napolin përpara 3 vitesh. Raportet me sulmuesin gjithnjë janë karakterizuar nga vlerësimi i madh reciprok dhe bashkëpunimi aq sa Osimhen e përkufizon si ‘gjeni’ Spalettin.

Por debatet mes tyre gjithsesi nuk kanë munguar. Gjatë përgatitjeve verore më 2022, trajneri dërgoi nigerianin në dhomat e zhveshjes se u ankua për mosdhënien e një faulli në një ndeshje stërvitore. Osimhen kaloi te Gallatasaraji në shtator të 2024, ku edhe në Turqi po tregon se është një sulmues që çdo skuadër do ta donte. Që nga ai moment ai ka 50 gola dhe 8 asist në 60 ndeshje. Me fjalë të tjera, mbrojtja bardhezi është paralajmëruar.

Nëse me Osimhen, raportet janë të mira, kjo nuk mund të thuhet për një tjetër kundërshtar. Ndaj Gallatasarajit, Spaleti do të ketë përballë edhe Mauro Ikardin. Për shkak të dinamikave jashtë fushave të lojës, raportet mes tyre u prishën përfundimisht në sezonin 2018-2019, viti i dytë i Spaletit tek Interi dhe për të dy ishte sezoni i fundit me zikaltrit.

Argjentinasi ishte në tratativa për rinovimin e kontratës dhe Uanda Nara që në atë kohë ishte bashëshortja dhe agjentja e futbollistit bëri disa deklarata që bezdisën jo pak ambientin. Nga njëra anë theksoi se Ikardi kërkohej nga klube të rëndësishëm evropianë dhe në anën tjetër deklaroi se tek Interi nuk kishte lojtarë që të nxirrnin në pah cilësitë e tij balistike dhe kështu që duheshin bërë përforcime që t’i mundësonin Ikardit të shënonte më shumë gola.

Klubi dhe trajneri nuk mund të toleronin një situatë të tillë dhe në mënyrë konsensuale vendosën t’i hiqnin shiritin e kapitenit Ikardit për t’ia dhënë Handanoviç. Vite më vonë në autobiografinë e tij Spaletti shkruante: ‘E kuptova që pika e dobët e kapitenit tonë quhej Uanda dhe rrezikonte të zhyste thellë të gjithë grupin. Kishte vetëm një mënyrë për të evituar luftën në dhomën e zhveshjes; ndjesa e Mauro Ikardit që nuk erdhi kurrë. Kështu për të mos humbur skuadrën, humba Ikardin si njeri dhe futbollist’.

Pra, në shkurt Spaleti dhe Ikardi do të vihen përballë njëri-tjetrit për herë të parë si kundërshtarë në një sfidë që premton shkëndija.

juventus gallatasaraji champions league mauro ikardi luçiano spaleti

Lini një Përgjigje