TAGS-AT E JAVËS

Sport 8 Prill 2025, 17:26

“Bild” bën gafën e madhe para sfidës Bajern-Inter, media prestigjioze gjermane ngatërron Simone Inzagin me Pipo Inzagin

Shkruar nga Pamfleti

“Bild” bën gafën e madhe para sfidës Bajern-Inter,

Një gabim aspak i këndshëm, aq më tepër kur bëhet fjalë për një nga trajnerët më të suksesshëm të momentit në Europë.

Në prag të supersfidës së Champions League mes Bajernit të Mynihut dhe Interit, gazeta prestigjioze gjermane “Bild” i ka kushtuar vëmendje të veçantë duelit dhe protagonistëve, duke përfshirë edhe një intervistë të gjatë me ish-sulmuesin e madh të të dyja klubeve, Karl-Heinz Rumenige, sot anëtar i bordit drejtues të Bajernit.

Në qendër të vëmendjes ishte padyshim Simone Inzagi, trajneri i Interit, që prej kohësh po fiton vlerësime në rritje për rezultatet dhe stilin e lojës që ka ndërtuar me skuadrën zikaltër. Rumenige nuk i kurseu fjalët e mira për të:

Për mua është një surprizë pozitive. Ka fituar në Itali, po bën shumë mirë edhe në Europë. Kam qenë në Stamboll për finalen e Champions-it kundër Mançester Sitit dhe me pak më shumë fat, Interi do ta fitonte atë ndeshje. Simone është një fenomen. Askush të mos mendojë se Bajerni është favorit, sepse nuk është kështu”.

Deri këtu gjithçka shkonte në mënyrë perfekte, por kur erdhi momenti që gazeta gjermane ta ilustronte artikullin me një foto të trajnerit zikaltër ndodhi gafa. Në vend të një fotoje të Simone Inzagit, redaksia e “Bild” vendosi një foto të vëllait të tij, Filipo (Pipo) Inzagi, ish-sulmues legjendar i Milanit dhe i kombëtares italiane, sot trajner në Serinë B.

Një ngatërrim që në Itali është mëse i kuptueshëm për shkak të ngjashmërisë së tyre fizike dhe lidhjes së përhershme me futbollin. Megjithatë, për një gazetë ndërkombëtare si “Bild”, që shquhet për seriozitetin në raportimet sportive, një gafë e tillë ngre vetvetiu pikëpyetje; aq më tepër kur artikulli kishte në fokus një figurë aktuale si Simone Inzagi dhe përfshinte fjalë të mëdha nga një ikonë si Rumenige.

Ironia është se, ndërsa Rumenige lavdëronte “fenomenin Simone”, gjermanët ia veshën lavdet “fenomenit” tjetër, Pipos.

bajern-inter champions league simone inzagi

Lini një Përgjigje